Ambasada Ruse: Nuk kemi ndërhyrë në zgjedhjet në Shqipëri

07.03.2018 23:50:37

Ambasada Ruse në Tiranë ka reaguar sot për shkrimin e botuar në median amerikane, ku jepeshin disa të dhëna për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri.

Në reagimin e Ambasada thotë se parimet e Rusisë nuk lejojnë ndërhyrjet në punët e brendshme të një shteti tjetër.

Gjithashtu, Ambasada thekson se shkrimi i botuar në revistën amerikane “Mother Jones” është një trillim i radhës.

REAGIMI I PLOTË I AMBASADËS RUSE

“Reagim në lidhje me shkrimin e botuar në revistën amerikane “Mother Jones”

Kemi vënë re një artikull të publikuar më 6 mars në uebsajtin e revistës amerikane “Mother Jones” dhe të ribotuar nga disa gazeta shqiptare, për gjoja ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet parlamentare të 2017-s në Shqipëri.

Materiali në fjalë përbën një trillim të radhës krejtësisht absurd, i cili ngjall keqardhje të thellë dhe nuk meriton komente të hollësishme. Spekulime të tilla janë pjesë e kontekstit të një fushate të pistë mediatike që është iniciuar nga mediat perëndimore kundër Rusisë. Qëllimi është i qartë: të imponohet një përceptim i shtrembëruar i vendit tonë dhe të minohen zhvillime të mundshme pozitive në bashkëpunimin midis Rusisë dhe Shqipërisë.

Theksojmë se ndryshe nga disa vende perëndimore, Rusia i përmbahet fort parimit të mosndërhyrjes në punët e brendshme të shteteve të tjera, përfshirë edhe Shqipërinë. Konfirmojmë edhe një herë gatishmërinë për komunikim dhe bashkëpunim të hapur me të gjitha forcat politike të Shqipërisë në interes të përparimit të dialogut dypalësh.

Shpresojmë gjithashtu që mendimi i autorëve amerikanë nuk përkon me qëndrimin e redaksive të mediave shqiptare, të cilat e kanë ribotuar artikullin e lartpërmendur”.