Ambasadori i gjerman në Kosovë siguron Kosovën për mbështetje

02.10.2017 15:43:44

Ambasadori i ri gjerman në Kosovë, Christian Heldt, me rastin e pritjes për shënimin e përvjetorit të 27 të Ditës së Bashkimit të Gjermanisë, sot ka thënë se politikanët në Kosovë duhet t’ua mundësojnë të rinjve udhëtimin pa viza në shtetet e Bashkimit Evropian.

Në këtë event të mbajtur në Vila Gërmia në Prishtinë, ambasadori gjerman Christian Heldt tha se shpreson se politikanët në Kosovë së shpejti do t’i përmbushin obligimet nga udhërrëfyesi i vizave, ashtu që sidomos rinia sa më shpejt të mundë të udhëtojë më e lirë në Evropë.

“Megjithatë, ka ende sfida të mëdha me të cilat duhet ballafaquar. Siç e ka përmendur kancelarja federale Merkel në telegramin e saj të urimit drejtuar kryeministrit Haradinaj për zgjedhjen e tij, Gjermania mbetet përkrah Kosovës”, tha ambasadori gjerman.

Ai shtoi se Gjermania dëshiron që t’i ndihmojë Kosovën në ndërtimin e konsolidimit e sundimit të ligjit, “t’ju shoqërojë në luftimin e korrupsionit, të nxisim zhvillim ekonomik, si dhe t’ju mbështesim në një dialog të balancuar me Serbinë”.

Duke qenë se ambasadori mori këtë detyrë që gati dy javë, ai shprehu mirënjohjen për mikpritjen që iu është bërë këto dy javë në vend.

“Bashkë me bashkëshorten time, unë po pres me padurim ta njoh më mirë Kosovën dhe qytetarët e saj gjatë viteve në vazhdim”, tha ambasadori i ri gjerman në Kosovë, Christian Heldt.