Ambasadorja turke: Do vazhdojmë të ndihmojmë Kosovën, kemi lidhje të ngushta miqësore e vëllazërore

02.10.2017 15:23:01

Ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Kivilcim Kiliç dhe drejtori i TIKA-s, Hasan Burak Ceran, të shoqëruar nga kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, nënkryetarët Faruk Mujka e Eroll Zekeria dhe drejtori i Drejtorisë për Arsim, Skender Avdiu, ka vizituar Shkollën fillore të mesme të ultë “Andon Zako Çajupi”, me ç’rast nga drejtoresha Melihate Meha janë njoftuar për projektin e realizuar nga TIK-a e Turqisë, për meremetimin dhe pajisjen e hapësirave mësimore.

Drejtoresha e shkollës në të cilën mësimet e vijojnë edhe nxënësit turq, Melihate Meha, pasi që në emër të nxënësve dhe mësimdhënësve ju dëshiroj mirëseardhje mysafirëve,  i falënderoi përzemërsisht ambasadoren Kiliç dhe drejtorin e TIKA-s, Ceran për ndihmën e vazhdueshme që i kanë dhënë kësaj shkolle dhe sidomos për punët e mira që kanë bërë me donacionin e fundit.

“Ju të nderuar mysafirë me investimet e fundit që i keni bërë në shkollën tonë keni përmirësuar akoma kushtet për punë dhe mësim. Renovimi i hapësirave mësimore dhe pajisja e tyre me kompjuterë dhe gjëra të tjera, do të na motivojnë që të shtojmë angazhimin dhe përkushtimin tonë për të arritur rezultate dhe suksese akoma më të mira dhe për këtë edhe njëherë ju falënderoj shumë”, tha ajo.

Edhe kryetari i Komunës, Agim Bahtiri  falënderoj ambasadoren Kiliç dhe drejtorin e TIKA-s, Ceran, për realizimin e këtij projekti dhe për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë Mitrovicës në vazhdimësi.

 

“Turqia dhe populli i saj janë miq të Kosovës dhe popullit shqiptarë. Ndihma e tyre ka qenë e pakursyer dhe shumë e madhe që prej përfundimit të luftës e deri sot. Me këtë mbështetje Turqia pe ndihmon ardhmërinë e Mitrovicës dhe të Kosovës, popullit të saj dhe  sidomos fëmijëve e të rinjve. Ne u jemi shumë mirënjohës për mbështetjen që po na e jepni në krijimin e kushteve më të mirë në arsim, shëndetësi e fusha të tjera”, tha ai.

Ambasadorja e Turqisë, Kivilcim Kiliç, tha se është shumë e lumtur që sot gjendet në mesin e nxënësve të Mitrovicës dhe që shteti i saj po e ndihmon Mitrovicën e Kosovën. Ajo u gjatë vizitës që ju bëri hapësirave të rregulluara bisedoj në gjuhën angleze me nxënësit e shkollës dhe nda shumë e kënaqur me dijen që ata treguan.

“Vërtetë ndjehem e lumtur që shteti im dhe TIKA po ju mbështesin. Kemi një bashkëpunim të mirë me komunën, kryetarin Bahtiri dhe mësimdhënësit e shkollës. Ne prej përfundimit të luftës po ndihmojmë Kosovën, sepse kemi lidhje të ngushta miqësore e vëllazërore. Do të vazhdojmë edhe më tutje mbështetjen për Mitrovicën e Kosovën, jo vetëm në arsim, por edhe në kulturë, bujqësi e fusha të tjera. Përveç klasave që i kemi rinovua me këtë projekt, do të vazhdojmë të rregullojmë dhe klasat e hapësirat tjera, në mënyrë që të krijojmë kushte sa më të mira për punë e mësim”, tha ajo ndër të tjera.

Ajo njoftoj se javën e ardhshme do të bëhet edhe përurimi i sallës së rinovuar të edukatës fizike. Me këtë projekt janë rregulluar tri klasë, të cilat janë pajisur me banka e kompjuterë, projektorë e tabela, është rregulluar kabineti-salla për konferenca dhe janë rregulluar të gjitha tualetet e shkollës.