Ambasadorja e Greqisë: “Himara” të trajtohet me kujdes

26.10.2017 23:22:52

E gjendur në Vlorë për një vizitë zyrtare, amasadorja greke në vendin tonë, Eleni Sourani ka preferuar të mos japë deklarata politike rreth situatës së krijuar në vend. Sakaq, çështja më e ndjeshme për të dhe shtetin grek mbetet Himara.

Në takimin me prefekten e Vlorës, Etjona Hoxha, ambasadorja ka kërkuar garanci për trajtimin e çështjes së Himarës me më shumë dashamirësi, ndërsa ka theksuar se prioritet mbetet trajtimi i banorëve të kësaj zone.

“Jam këtu për një takim të mirëfilltë bashkëpunimi me Vlorën dhe zonat e saj periferike. Jemi të interesuar për të pasur një marrëdhënie të qëndrueshme mes dy shteteve. Po shohim bashkëpunimet edhe me Bashkinë e Vlorës, universitetin, etj”, ka deklaruar Sourani.

Sa i takon Himarës ajo ka theksuar se, “banorët e Himarës duhet të trajtohen me kujdes të veçantë dhe për më tëpër projektet vendore të mos i cënojnë ata”. “Shteti grek është i vemëndshëm për të gjitha zonat minoritare dhe jo vetëm Himara”, ka shtuar diplomatja.

E pyetur rreth deklaratave të Ministrisë së Jashtme greke, ambasadorja është përgjigjur se vjen për herë të parë Vlorë dhe nuk do të preferonte të bënte komente politike.
Ndërkohë, prefektja Hoxha ka garantuar se projekti do të ecë përpara me zbatimin e tij, ashtu si edhe një numër i konsiderueshëm projektesh të cilat kanë gjetur zbatim në qarkun e Vlorës.