Ambicia për President, Meta: Nuk komentoj gara të pashpallura, garoj vetëm në LSI

18.09.2016 13:23:38

Kreu i kuvendit dhe i LSI, Ilir Meta nuk pranoi të komentonte zërat që e lidhin atë me një kandidim të mundur për president të republikës. Duke folur nga Korça ku gjendje për një vizitë bashkë me ministrin e  Bujqësisë, Edmond Panariti, Meta tha se nuk komenton gara të pashpallura dhe theksoi se e vetmja garë ku merr pjesë është ajo e kreut të LSI.

“Nuk kam asnjë koment për gara të pashpallura. E vetmja garë ku unë marr pjesë është ajo e kryetarit të LSI dhe kam kënaqësinë që këtë gara që e konsideroj si një sfidë për përmirësimin e mëtejshëm të LSI ta nis nga Korça dhe Pogradeci”, tha Meta.

I pyetur lidhur me reformën në drejtësi dhe ligjet që duhen votuar në kuvend për ta bërë të mundur zbatimin e saj, Meta u shpreh i bindur për konsensus.

“Kurrë mos mendoni se do të lodhem së kërkuari konsensus. Besoj se puna e komisionit ka qenë konstruktive dhe besoj se është e mundur që të punojmë në mënyrë konstruktive dhe në respekt të konsensusit të 22 korrikut”, tha Meta.