Tiranë, kërcënoi me armë tre persona, arrestohet 21-vjeçari

18.09.2016 13:42:38

Policia e Tiranës ka arrestuar një person dhe ka shpallur në kërkim 1 tjetër pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kanosur me armë 3 persona.

Burime nga polica e kryeqytetit bëjnë me dije se është arrestuar shtetasi Xhoni Hitaj, 21 vjeç, banues në Tiranë.

“Shërbimet e policisë pas informacioneve të marra, se në rrugën “Nuçi Naçi”, rreth orës 00:30, shtetasit I. F. ,S. F. dhe E. C., janë konfliktuar dhe kanosur nga Xhoni Hitaj dhe një person tjetër ku po punohet per identifikimin e tij, menjëherë kanë shkuar në adresën e dhënë ku kishte ndodhur konflikti.

Falë veprimeve të shpejta profesionale u bë e mundur gjetja dhe sekuestrimi i armës që shtetasi i arrestuar së bashku me shtetasin tjetër që ende nuk është kapur kishin kërcënuar tre shtetasit e mësipërm gjatë konfliktit.

Arma pistoletë e tipit “SIGSAUER P226”, 9mm dhe një krehër me 10 fishekë u  gjetën të fshehura në një pallat pranë vendit të ngjarjes, në një kuti matësi uji në katin e tretë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, sqaron policia.

Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë , për veprat penale të “Kanosje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit.