Anton Çuni tërthorazi e pranon se LDK-ja është kundër shndërrimit të FSK-së në Ushtri

08.03.2017 18:17:55
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Çuni ka thënë se deklaratat e SHBA-ve lidhur me transformimin e FSK-së në Ushtri i merr si deklarata miqësore pasi bëhet fjalë për një proces transformimi.

“Këto procese duhet të zhvillohen në një partneritet të ngushtë me ndërkombëtarët. Nëse ne duam të bëjmë ushtrinë duhet të vazhdojmë bashkëpunimin dhe të kemi partneritet me NATO-n dhe me SHBA-të”, ka thënë Çuni në emisionin Imazhi i Ditës në RTK, transmeton lajmi.net.

Sipas tij, transformimi i FKS-së në ushtri është i mundshëm në bazë të projektligjit të propozuar nga presidenti Hashim Thaçi.

“Teknikisht është e mundur, por nëse e marrim në një kontekst tjetër atëherë duhet të kemi parasysh gatishmërinë e Amerikës, duhet të punojmë më të gjithë që këto forca të mos jenë të kontestueshme”, është shprehur deputeti i LDK-së në një prononcim direkt për RTK-në.

Ai ka thënë se LDK-ja pajtohet që Ushtria të bëhet me ndryshime Kushtetuese, e jo në formatin e propozuar nga presidenti Thaçi.

Çuni ka theksuar se LDK është duke e përcjellë situatën për t’i ruajtur interesat duke shtuar se duhet qëndruar përball marrëveshjeve që janë arritur deri më tani.