Apeli e kthen në rigjykim rastin e Naser Osmanit

04.03.2020 14:56:56

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin e ish-depuetit të LDK-së, Naser Osmani si dhe gjashtë të akuzuarve tjerë për keqpërdorim të detyrës zyrtare në bashkëkryerje dhe legalizim të përmbajtjes së rreme.

“Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i datës 08.02.2019, në pjesën liruese të tij, e ku të akuzuarit N.O., B.Sh., Sh.L., N.A., M.Y. dhe A.K. ishin liruar nga akuza për shkak të veprave penale keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje, A.D  ishte liruar nga akuza për shkak të veprës penale legalizimi i përmbajtjes së rremë në vazhdimësi, si dhe ishte refuzuar kërkesa për konfiskim të pasurisë, të evidentuar sipas një urdhri ndalues afatgjatë, është prishur dhe lënda i është kthyer gjykatës së shkallës së parë, në RIGJYKIM.  Ndërsa pjesa fajësuese e këtij aktgjykimi,  sipas të cilës i akuzuari A.D. është shpallur fajtor për veprat penale mashtrimi në vazhdimësi dhe shmangie nga tatimi, e për të cilat është dënuar më 1 viti e 8 muaj burgim dhe dënimin me gjobë në shumë prej 10.000 euro, si dhe është obliguar që palës së dëmtuar ATK-së, t’i kompensoj dëmin në shumë prej 53.807.46 euro, ËSHTË VËRTETUAR”, bëhet e ditur në komunikatë, shkruan lajmi.net.

Gjykata e Apelit, duke vepruar sipas ankesës se prokurorit, por edhe sipas detyrës zyrtare  gjeti se aktgjykimi i ankimuar, sa i përket pjesës liruese është përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.

Nderkaq pretendimet ankimore të mbrojtjes lidhur më pjesen fajsuese, janë refuzuar si të pa bazuara në ligj.