Apeli kthen në rigjykim rastin e zyrtarit të MSH-së

17.01.2017 16:34:15

Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë i datës 19 korrik 2013 lidhur me të pandehurin Imer Ajeti është anuluar dhe lënda është kthyer për rigjykim.

Lënda penale ka të bëj me procesin e tenderimit të mbajtur në Ministrinë e Shëndetësisë në vitin 2007 si dhe 2010-2011.

“I.A. ishe akuzuar për veprën penale të pengimit të të provuarit. Gjykata Themelore e Prishtinës në aktgjykimin e saj të datës 19 korrik 2013 e ka liruar I.A. nga të gjitha akuzat”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit.

Gjykata e Apelit në aktgjykimin e saj të datës 13 shtator 2016 ka gjetur se aktgjykimi i ankimuar është mbështetur në vlerësim jo të plotë dhe të pasaktë të provave dhe përmban shkelje të procedurës penale.

“Aktgjykimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës përmban mospërputhje në arsyetim dhe mospërputhje në provat fajësuese në të cilat është mbështetur. Më tej Gjykata e Apelit ka gjetur se vendimi mbi meritat po ashtu është i pasaktë’, thuhet në komunikatë.