Apeli liron nga akuzat për korrupsion tre zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë

13.04.2018 13:34:33
Janë liruar përfundimisht nga akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare, tre zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Berat Nika, Krenar Macula dhe Nehat Veliu, si dhe biznesmeni Xhelal Selimi, i cili akuzohej për mashtrim me subvencione.

Kjo, pasi që Gjykata e Apelit, e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Gjilan kundër aktgjykimit lirues që gjykata e shkallës së parë kishte marr në tetor të vitit të kaluar.

Gjykata Themelore në Gjilan, i kishte shpallur të pafajshëm të katër të akuzuarit, pasi sipas saj, nga provat e paraqitura nga prokuroria dhe dëshmitë e dëshmitarëve, nuk është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale të ngarkuar në aktakuzë.

E pakënaqur me këtë aktgjykim kishte mbetur Prokuroria Themelore në Gjilan, e cila kishte ushtruar ankesë në Apel duke kërkuar që shkalla e dytë, ta ndryshojë aktgjykimin e shkallës së parë dhe të akuzuarit t’i shpallë fajtorë apo që çështja të kthehet në rigjykim.

Përgjigje në ankesën e Prokurorisë kishin paraqitur avokatët mbrojtës të të akuzuarve, të cilët i kishin propozuar Apelit që ankesën e Prokurorisë ta hudh poshtë si ta pabazuar.

Pretendimet e prokurorisë se aktgjykimi i shkallës së parë është përcjelle me shkelje esenciale të dispozitave procedurale, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike dhe shkelje të ligjit penal, kolegji i Apeli i ka vlerësuar si të pabazuara, shkruan betimiperdrejtesi.com.

Sipas vlerësimit të kolegjit të Apelit, gjykata e shkallës së parë, drejt ka vepruar kur ka liruar nga akuza të akuzuarit pasi që, siç thuhet në aktgjykimin e Apelit, nuk është provuar se të akuzuarit Nika, Veliu e Macula, të kenë kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, e po ashtu edhe i akuzuari Xhelal Selimi, të ketë kryer veprën penale të mashtrimit me subvencione.

“Nga përshkrimi faktik i dispozitivit të veprës penale keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo të autoritetit zyrtar, gjykata ka dhënë arsye të qarta se të akuzuarit Berat Nika, Nehat Veliu e Krenare Macula, nuk kanë përfituar dobi pasurore për veti, e as që i është mundësuar SHPK”Calabria”, që të përfitoj dobi pasurore, kjo për arsye se të akuzuarit kanë vepruar në kuadër të detyrave të cilat i kanë ushtruar pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.

Sipas Apelit, pretendimet ankimore të prokurorisë se gjendja faktike nuk është vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe plotë nuk qëndron kjo për arsye se gjykata drejt ka vërtetuar se SHPK “Calabria”, ka aplikuar për dhënien e grandit për prodhimin e përpunimit të mishit dhe të akuzuarit Nika, Veliu e Macula, në mënyrë të drejtë kanë vërtetuar se SHPK “Calabria”, Industria për punime të mishit ka pasur më tepër se dy vite përvojë pune, në përpunimin e mishit.

Prokuroria pretendonte se të pandehurit Berat Nika, Krenare Macula dhe Nehat Veliu kanë keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përftimit të kundërligjshëm pasuror për vete dhe të pandehurin Xhelal Selimi, pronar i firmës industrial të mishit “Calabria SHPK” në Gjilan.

Sipas aktit akuzues, të njëjtit nuk iu kanë përmbajtur udhëzimit administrativ 01\2015, të vlerësimit dhe miratimit të dokumentacionit për firmën “Calbaria SHPK”, duke mos e respektuar udhëzuesin për aplikim, masën 103.

Gjithnjë sipas aktakuzës firma “Calabria” nuk ka pasur përvojë dy vjeçare në lëmin e caktuar për çka ka aplikuar, si dhe nuk i ka plotësuar kushtet për fitimin e garantit.

Ndërsa, aktakuza e ngarkonte Selimin, se duke qenë pronar i firmës industriale të mishit “Calabria”, ka aplikuar për marrjen e grantit duke paraqitur të dhëna të pasakta.