SKV: Intervenimi i mbrëmshëm i policisë ishte i qëllimshëm, kërkojmë lirimin e aktivistëve

13.04.2018 13:50:01

Lëvizja Studentore STUDIM KRITIKË VEPRIM, ka mbajtur konferencë për media pranë Stacionit Qendror të Policisë për të dënuar ashpër dhunën ndaj aktivistëve studentë në intervenimin siq e quajnë ata të qëllimshëm mbrëmë në Parkun e Qytetit.

Aktivistja Berna Ramaxhiku përshkroi për rrjedhën dhe mënyrën si intervenoi brutalisht dhe pa asnjë arsye Policia e Kosovës.

“Gjatë video prezantimit dhe muzikës live në Parkun e Qytetit u paraqitën dy oficerë të policisë para orës 22:00 të cilët kërkuan lejen dhe kërkuan që të ulej zëri për muzikën që po luhej aty. Studentët i paraqitën policisë dokumentacionin si dhe e ulën zërin e fonisë dhe vazhduan aktivitetin të qetë. Më tej, rreth orës 22:00 u paraqitën sërish dy policë dhe vumë re që më tej edhe policë të tjerë ishin shpërndarë nëpër park. Herën e dytë që erdhi policia filloi të provokonte me ofendime duke ngritur zërin, edhe pse studentët kishin rënë tashmë dakord të grumbullonin sendet dhe të lëviznin nga parku. Situata u qetësua disa herë por njëri prej policëve, me numrin 9986, vazhdonte provokimet dhe sharjet, duke kërkuan të arrestoheshin studentët organizatorë të aktivitetit” tha gjatë shpjegimit të situatë Berna Ramaxhiku, njofton kumtesa e SKV-së.

Ajo gjithashtu tregoi se ishte afër aktivistëve të tjerë të cilët u goditën me me grushta, shkelma dhe shufër studentët të cilët po kërkonin sqarime dhe po mbroheshin nga ky agresion brutal.

Ndërkaq aktivisti Flamur Pireva foli për tendencën e qëllimshme të Policisë për të prishur dhe intervenuar në 8 vjetorin e SKV-së dhe shpjegoi më tutje shpifjet dhe gënjeshtrat e vetë Policisë së Kosovës.

“Policia dhe disa media në shërbim të saj po shpifin lidhur me studentët, për të justifikuar dhunën dhe arrestimet. Nuk ka pasur as një studentë, asnjëri prej nesh nuk ka qenë i përfshirë në aktivitete të jashtëligjshme gjatë këtij aktiviteti në park, pra as një substancë e jashtëligjshme nuk është përdorur aty, prej studentëve”, tha Pireva.

Mbrëmë nuk kishte ministër të brendshëm, andaj përgjegjësinë për këto veprime të Policisë ne ia vëmë drejtorit të Policisë Shpend Maxhunit, kryeministrit Ramush Haradinaj dhe ndonjë përfaqësuesi tjetër që ishte pjesë e urdhrit politik.

Në këtë situatë, nga ky vend, i bëjmë thirrje Prokurorisë lirimin e menjëhershëm të aktivistëve, dhe ndaljen e represionit policor.