Arben Gashi: Formimi i Ushtrisë në dorën e Kuvendit

01.04.2017 12:55:10

Lidhja Demokratike e Kosovës është e prerë se ushtria nuk duhet të bëhet pa koordinimi me NATO-n dhe SHBA-në.

Deputeti i kësaj partie, Arben Gashi ka thënë se projektligji i propozuar nga Hashim Thaçi është me defekte dhe mund t’i sjellë probleme vendit.

Sipas tij, e vetmja formulë e duhur është që ushtria të bëhet me anë të ndryshimeve kushtetuese, ashtu siç është dhënë propozimi nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë.

“Nëse shkohet kjo çështje me ligj duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm, sepse mundet me pas një problem për Kosovën për shkak të mundësisë të keqpërdorimit të FSK-së prej strukturave të ndryshme. Nuk mundet mu leju që misioni i ushtrisë mu ndryshuar me shumicë të thjeshtë, 32 vota. Duhet të mendohen mirë të gjitha detajet dhe jo të bëhet me eufori”, ka thënë ai.

Mirëpo, Gashi thotë se është edhe një mundësi që FSK-ja të bëhet ushtri me kompetenca të plota me anë të ligjit që ka nivelin e kategorisë kushtetuese, pa mundësinë e bllokimit të minoriteteve.

“Nuk varet prej qeverisë kjo punë. Ajo jep vetëm vlerësim pozitiv apo negativ nga fusha e vet, tjerat janë çështje të Kuvendit. Qeveria nuk mundet me ndal. Ka 30 ditë dhe nëse s’jep mendim atëherë procedohet në Kuvend automatikisht. Ekzekutivi jep mendimin financiare, ligjor, kushtetuese dhe në aspektin e të drejtës ndërkombëtare dhe në fund vendos Kuvendi”, ka thënë ai.

Nëse hyn në procedurë kuvendare, Gashi tregon se do të votohet, por a duhet të futet në këtë procedurë, ai thotë se vendos Parlamenti.