Armando Broja firmos për 5 vite me Çelsin, Tuhel e mban tek blutë e Londrës

19.07.2021 09:33:23

Ekipi kombëtar ka në përbërje të tij disa elementë mjaft cilësorë, të rinj,q ë shpresohet të bëjnë diferencën në vitet në vazhdim dhe t’i japin Shqipërisë një shans më shumë në garat ndërkombëtare. Ambiciet janë që kuqezinjtë e rinj të mundësojnë të paktën pjesëmarrjen në Euro-2024, por ata janë praktikisht në valle dhe për Botërorin 2022 që do të zhvillohet në Katar. Në këtë grup të rinjsh bie në sy dhe sulmuesi shtatlartë 19-vjeçar Armando Broja, i dalë nga akademia e Çelsit në Londër, i cili ka siguruar një kontratë pesëvjeçare prej klubit anglez. Dhe kjo ka ndodhur ngaqë futbollisti u paraqit mjaft mirë me Viteshen në Hoplandë sezonin e kaluar, pasi ishte atje i huazuar.

Zyrtarizohet 5 vjet me kontratë tek Çelsi

Mediumet sportive britanike shkruajnë se klubi i Çelsit po zbaton një kontratë të re për sulmuesin shqiptar, Armando Broja. Janë pikërisht këto media që shkruajnë se drejtuesit e klubit anglez kanë nisur bisedimet me sulmuesin për vazhdimin e kontratës dhe dje kanë pasur rezultate paraprake. Londinezët thuhet se i kanë ofruar kontratë pesëvjeçare që do ta mbante atë në “Stamford Bridge” deri në vitin 2026. Broja ishte i huazuar edicionin që lamë pas te skuadra holandeze, Viteshe me të cilin ekip arriti të shënoi 11 gola. Sulmuesi i talentuar shqiptar është rikthyer te Çelsi me të cilin ekip ka nisur përgatitjet për sezonin e ri. Ndërkohë dje erdhi edhe zyrtarizimi i përtëritjes së kontratës, që e mban lidhur me Çelsin edhe 5 vjet të tjera. Në fakt, Broja shkëlqeu të shtunën në miqësoren kundër Peterborough, duke shënuar një gol dhe asistuar një tjetër, ndërsa dy gola iu anuluan për pozicion jashtë loje. Me shumë mundësi, 19-vjeçari do të jetë pjesë e klubit të parë të Çelsit për sezonin e ri pasi është duke bindur me paraqitjet e tij trajnerin Thomas Tuhel. Sulmuesi kuqezi u shpreh i emocionuar me nënshkrimin e kontratës së re, duke thënë se është moment i veçantë për të.

Qëndrimi i Brojës

19-vjeçari i përfaqësueses shqiptare la përshtypje shumë të mira gjatë përvojës së tij me Viteshen në elitën e futbollit holandez, duke spikatur me 10 gola në 30 ndeshje të kampionatit. Për këtë arsye, stafi teknik i Çelsit ka vendosur t’i japë një shans në ekipin e parë. Gjithsesi, në varësi të zhvillimeve në merkato, Broja mund të huazohet sërish. “Jam me të vërtetë shumë i lumtur që po nënshkruaj kontratën e re me Çelsin. Meqenëse kam qenë pjesë e akademisë, për mua ishte moment i veçantë debutimi me ekipin e parë vitin e kaluar, para se të huazohesha te Viteshe. Dua të vazhdoj mbi këto baza dhe me të vërtetë pres që të përparoj dhe të lë gjurmë te Çelsi vitet që do të vijnë”, u shpreh Broja për faqen zyrtare të klubit të Çelsit. 19-vjeçari u afrua në skuadrën e parë nga ish-trajneri, Frank Lampard, në mars të vitit të kaluar, kundër Evertonit, në Premier League. Ai u aktivizua në fund të takimit të fituar 4-0 në vend të Zhirud. Pikërisht pas kësaj ndeshjeje, kampionati u ndërpre për shkak të pandemisë së Koronavirusit. Gjatë sezonit 2020-21 Broja u huazua te Viteshe për të patur më shumë minuta në këmbë. Sulmuesi i Shqipërisë spikati në ekipin holandez, duke arritur numër dyshifror golash.