Ibrahimoviç-Zhirud, sulm “grataçelash” për Milanin

19.07.2021 09:35:30

Sulmi milanist, për herë të parë në shumë vite, do të ketë në majën e tij lojtarë shtatlartë e veteranë. Një zgjedhje ku mbi gjithçka është çmuar eksperienca

Milani po tenton të formatojë skuadrën e sezonit të ri, duke zgjedhur lojtarë me përvojë që do të gërshetohen me ata të rinj të talentuar. Kjo nuk është thjesht një zgjedhje e trajnerit Stefano Pioli, por edhe një strategji e klubit, duke parë efikasitetin e lojtarëve si Zlatan Ibrahimoviç në sezonin e kaluar. Ndërkohë, një tjetër veteran vesh fanellën kuqezi. Kështu, është zyrtare tashmë, francezi Olivier Zhirud është përforcimi më i fundit i Milanit. Sulmuesi nënshkroi kontratën që do ta mbajë të lidhur me klubin kuqezi për të paktën 2 sezone. Kjo është aventura e parë e francezit në Serinë A dhe në fjalët e tij të para si lojtar i Milanit, ai nuk e fshehu lumturinë që do të veshë fanellën e 7 herë kampionëve të Europës. “Jam 35-vjeç, por ndjehem si një futbollist i ri. Kam shumë entuziazëm dhe jam i lumtur që do të luaj në një skuadër ku në të shkuarën kanë luajtur tre nga lojtarët e mi më të dashur, Papin, Shevçenko dhe Paolo Maldini. Erdha këtu për një arsye kryesore, dua të luaj në Champions me një klub kaq të madh dhe shpresoj të realizojmë objektiva të madhorë. Jam gati për këtë aventurë të re.” Ish lojtari i Montpelier, Arsenalit e Çelsit dhe që me Francën u shpall kampion bote foli edhe për origjinën e tij italiane, teksa nuk i kurseu lëvdatat edhe për Zlatan Ibrahimoviç. “Të dyja gjyshet e mia kanë qenë italiane dhe jam krenar që kam origjinë italiane. Kam studiuar gjuhën kur isha në shkollë dhe kulturën. E dua këtë vend, e dashuroj kuzhinën italiane, është fantastike. Jam i lumtur që do të luaj në të njëjtin ekip me Zlatan. Të jesh i aftë që në moshën 40-vjeçare të bësh ato veprime është diçka e jashtëzakonshme. Impenjimi dhe vendosmëria që tregon janë për tu marrë shembull, unë do kërkoj të bëj të njëjtën gjë”, nënvizoi ai. Ndërkohë, Milani bën goditjen e radhës në merkato, duke u konfirmuar si një nga klubet më aktive në tregun e transferimeve. “Djalli” ka zyrtarizuar blerjen e Fodé Ballo-Touré, futbollist 24-vjeçar senegalez që luan në krahun e majtë të mbrojtjes. “Milan është i lumtur të njoftojë se ka siguruar shfaqjet sportive të futbollistit Fodé Ballo-Touré nga Monako. Mbrojtësi ka nënshkruar një kontratë me klubin e Milanit deri më 30 qershor 2025 dhe do të mbajë numrin 5 në fanellë”. Lojtari i lindur në vitin 1997 në Francë ka spikatur prej dy sezonesh te Monako (ku mbërriti në janar 2019 nga Lille), me të cilën zhvilloi 74 ndeshje. Në skuadrën e drejtuar nga Stefano Pioli ai fillimisht do të bëjë rolin e alternativës për Theo Hernandezin.