Arratisen 3 shqiptarë të arrestuar për vjedhje në Greqi

19.06.2018 11:32:07

Tre shtetas shqiptarë të dënuar për vjedhje dhe hyrje me forcë në shtëpi, të arrestuar më 13 qershor, janë arratisur nga qelitë e Departamentit të Policisë së Argyroupolit.

Ata mundën të sharronin me fletë metalike hekurat e tualetit të paraburgimit rreth orës 6:30 të mëngjesit të kësaj të marte, për t’u hedhur më pas nga një lartësi prej 10 metrash.

Shqiptarët u pikasën nga oficerët e policisë, që u përpoqën t’i ndalnin pa sukses, pasi ata arritën të kapërcenin gardhin dhe të largoheshin prej andej.

Ata ishin arrestuar 6 ditë më parë si anëtarë të një bande përgjegjëse për mbi 70 raste vjedhjeje në Qarkun e Atikës, me një total prej mbi 400 mijë euro të siguruara nga këto veprime të paligjshme.