Arrestime të reja në Turqi

21.07.2016 10:31:35

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme për tre muaj, pas përpjekjes së dështuar për grushtshtet më 15 korrik.

Autoritetet thonë se gjendja e jashtëzakonshme do t’iu mundësojë atyre të ndërmarrin veprime të shpejta dhe efektive kundër përgjegjësve për puçin e dështuar, i cili ka lënë mbi 260 veta të vdekur dhe rreth 1,500 të plagosur.

Qeveria e Erdoganit thotë se “virusi i kancerit” brenda disa institucioneve shtetërore ka çuar në përpjekjen për grushtshtet.

Gjendja e jashtëzakonshme ka nisur në orën 1 të mëngjesit, sipas kohës lokale.

Disa orë pas, mediat turke kanë raportuar se edhe 32 gjykatës dhe dy oficerë ushtarakë janë arrestuar, nën dyshimet për pjesëmarrje në organizimin e puçit.

Qeveria e Erdoganit ka arrestuar, shkarkuar ose pezulluar nga puna afro 60,000 policë, gjykatës, shërbyes civilë dhe mësimdhënës.