Arrestohen 4 persona për ‘trafikim me njerëz’

13.01.2017 14:45:21

Policia e Kosovës  pas hetimeve të kryera nga Sektori i Hetimeve të Trafikimit me Njerëz i Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, kanë arrestuar 4 persona të dyshuar për trafikim më qenie njerëzore.

Sipas një komunikate të Policisë së Kosovës, të arrestuarit dyshohet  se në një lokal në qytetin e Shtimes, ka detyruar tri viktima femra të mitura, të punojnë me qëllim të shfrytëzimit seksual.

Të arrestuarit në këtë rast janë:  A.F; RR.M ; F.B;  T.L.

Gjatë realizimit të këtij plani policor për arrestimin e të dyshuarve, në cilësi  të prova materiale  janë konfiskuar: 4 (katër) telefona mobil, 1 (një) sprej OC dhe 1 (një) mjet i prehtë thikë.

Gjithashtu  në bashkëpunim me inspektoratin e punës dhe me vendim të prokurorit kompetent është mbyllur lokali i dyshuar në të cilin viktimat kryenin punë të detyruar.

Viktimat e rastit janë trajtuar në bazë të Procedurave Standarde të Operimit për viktimat e trafikimit dhe të njëjtat janë strehuar. Të dyshuarit me vendim të prokurorit dërgohen në mbajtje për 48 orë.