Trump premton raport për sulmet kibernetike në zgjedhje

13.01.2017 14:47:14

Presidenti i zgjedhur Donald Trump është kthyer të rrëzojë akuzat kundër tij të bëra sipas tij “nga opozitarët politikë të korruptuar dhe një spiun i dështuar”, të fabrikuara nga “demokratë dhe republikanë” në një dosier “me shumë siguri të bëra nga inteligjenca, edhe duke e ditur se nuk ka pasur prova dhe nuk do të ketë kurrë”.

Në “Twitter”, miliarderi premton: “Brenda 90 ditësh, amerikanët do të kenë një raport të plotë mbi sulmet kibernetike”.

Agjencitë amerikane të inteligjencës kanë akuzuar Rusinë për ndërhyrje në zgjedhje, me qëllim dëmtimin e rivales demokrate të Trumpit, Hillary Clinton.

Ato po ashtu po shqyrtojnë disa raporte se Moska ka informacione komprometuese për Trumpin.

Të martën, ueb-faqja Buzzfeed ka publikuar një dokument 35-faqesh, që ka qarkulluar në qarqe politike dhe mediatike para zgjedhjeve dhe që thotë se Rusia ka informacione të dëmshme në lidhje me interesat biznesore të Trumpit dhe pamje që tregojnë Trumpin duke shfrytëzuar prostituta gjatë një vizite në Moskë.