Arrestohen dy persona nga vrasja në pikën e karburantit

06.11.2016 20:09:42
Policia ka njoftuar për arrestimin e dy personave, të dyshuar nga uniformat blu si autorë të grabitjes me pasojë vrasjen e një personi gjatë grabitjes së një pike karburanti në Qafë-Gjashtë, Sarandë.

Arqilea Koçi, 27 vjeç u arrestua brenda një hoteli lagjen numër 4 të Sarandës. Gjatë kontrollit policia thotë se ka gjetur një pjesë të parave të grabitura në pikën e karburantit si dhe një fishek arme gjahu në rrobat e të dyshuarit si autor.

Së bashku me 27-vjeçarin, policia ka ndaluar edhe Mihal Lekan, banues në Sarandë. Ky i fundit akuzohet se ka ndihmuar autorin për t’u fshehur dhe ndaj tij rëndon akuza e përkrahjes së autorit të krimit dhe prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij u gjet arma e gjahut me të cilën besohet se është kryer krimi, motor dhe skafanda e përdorur nga Koçi si dhe një sasi lënde narkotike.