Arrestohen dy persona për ‘trafikim me njerëz’, identifikohet edhe një viktimë

13.09.2016 15:08:02

Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, ka realizuar një operacion policor, ku janë arrestuar dy personave të dyshuar për ‘trafikim me njerëz’ si dhe ka identifikuar një viktimë të trafikimit.

Hetuesit policorë nga DHTQNJ, në bashkëpunim me stacionin policor të Malishevës, me datën 11 shtator 2016 fillimisht kanë bërë arrestimin e një personi të dyshuar për veprën penale ‘trafikim me njerëz’, kurse pas zhvillimeve të reja hetimore hetuesit policorë kanë arritur që të identifikojnë dhe të arrestojnë edhe një të dyshuar tjetër, transmeton Indeksonline.

Ndërsa njoftohet se këta dy persona janë arrestuar nën dyshimin e bazuar se kanë kryer veprën penale “trafikim me njerëz neni 171 dhe shërbime seksuale të viktimës së trafikimit neni 231”.

Personat e arrestuar në këtë rast janë:

S. M.               lindur me 1962                        m/sh/k

A. K.               lindur me 1999                        m/sh/k

 

 

I dyshuari i parë, me qëllim të përfitimit material e ka detyruar viktimën të kryente shërbime seksuale me pagesë, kurse i dyshuari i dytë dyshohet se ka kryer veprën penale ‘trafikim me njerëz dhe shërbime seksuale të viktimës së trafikimit’.

Për rastin në fjalë është njoftuar mbrojtësi i viktimave dhe në prezencë të tij është intervistuar viktima, e cila më pastaj është trajtuar sipas procedurave standarde për ndihmë dhe mbrojtje të viktimave.

Me vendim te prokurorit të Prokurorisë Themelore i dyshuari i parë ndalohet për 48 orë ndërsa i dyshuari i dytë ndalohet për 24 orë, thuhet në një komunikatë për media nga Policia e Kosovës.