Një i vdekur e katër të plagosur në anijen më të madhe në botë

13.09.2016 15:06:37

Një person ka gjetur vdekjen dhe katër të tjerë janë plagosur rëndë pas një aksidenti që ka ndodhur në anijen më të madhe në botë, “Harmony of the Seas”.

Mësohet se aksidenti i rëndë ndodhi gjatë një ushtrimi në portin francez të Marsejës. Të pestë anëtarët e ekuipazhit ndodheshin në një barkë shpëtimi, e cila u shkëput papritur.

 

Një Zëdhënës i kompanisë “Royal Caribbean”, tha në një deklaratë për media: “Na vjen vërtet keq, të ndajmë me ju lajmin pikëllues se një anëtar i ekuipazhit të anijes ‘Harmony of the Seas’ ka vdekur, pas plagëve të marra ndërkohë që një varkë shpëtimi po ankorohej në Portin e Marsejës”.

“Harmony of the Seas” është 362 metra e gjatë, 66 metra e gjerë, ka 16 ura dhe peshon 120 000 tonë. Përmasat gjigante e saj të krijojnë përshtypjen e marramendjes. Ajo ka kapacitet transportues për më shumë se 6 000 pasagjerë dhe më shumë se 2 000 anëtarë ekuipazhi.