Arrestohen dy persona të dyshuar për vjedhje

16.12.2016 12:13:17

Operacioni i fundit i Njësiteve policore të rajonit të Prishtinës është realizuar mbrëmë me ç’ rast  janë arrestuar dy persona të dyshuar, njëri prej të cilëve dyshohet me bazë të jetë i përfshirë në një rast të vjedhjes, që ka ndodhur mbrëmë rreth orës 21:30, në Prishtinë.

Rasti ka ndodhur, në një dyqan ku personi i  dyshuar ka vjedhur gjësende në vlerë 144 euro. Rast ky që është ndriçuar vetëm pak minuta pas  raportimit, ku nga njësitet policore janë ndërmarrë një  varg veprimesh hetimore dhe operative të cilat kanë  rezultuar me identifikimin dhe arrestimin e personit të dyshuar, A. H,  mashkull, 19 vjeç.

“Pjesë e aksionit policor ka qenë edhe bastisja shtëpisë së të  dyshuarit në fjalë, në një fshat të Vushtrrisë, ku nga hetuesit policor të stacionit Jugu në Prishtinë, është gjetur dhe konfiskuar, një armë e tipit Ecol special 99”, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.

Rrjedha e hetimeve ka drejtuar hetuesit policor drejt një të dyshuari tjetër të mundshëm, si i dyshuar për bashkëveprim në kryerjen e veprës. Bëhet fjalë për të dyshuarin

“F. M,  mashkull, 24 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, i cili është identifikuar dhe arrestuar nga ana e policisë. Po ashtu tek i dyshuari F.M është  gjetur dhe konfiskuar një armë e tipit Ekol special 99”, ka bërë të ditur tutje Policia.

Personat e  arrestuar me rekomandimin e Prokurorit të shtetit,  janë dërguar në qendrën e mbajtjes, që të dy ngarkohen me veprën Mbajtje me pronësi , kontroll ose posedim i paautorizuar i armës. Ndërkohë që ndaj të dyshuarit  A.H është ngritur kallëzim penal edhe për vjedhje.