Arrestohen një djalë dhe një vajzë, të dyshuar për përfshirje në veprat penale fajde, detyrim dhe kanosje

25.10.2019 21:37:34

Policia e Kosovës ka arrestuar dy të dyshuar për përfshirje në veprat penale fajde, detyrim dhe kanosje.

Sipas PK-së, të dyshuarit: D.J., viti i lindjes 1993, dhe B.Sh., viti i lindjes 1997, dyshohet se kanë përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme një shumë parash mbi dhjetë mijë euro nga një qytetar.

“Hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, konkretisht Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, pas pranimit të informacione se dy të dyshuar janë të përfshirë në kryerjen veprave penale ‘fajde’, ‘detyrim’ dhe ‘kanosje’, kanë filluar hetimet dhe kanë siguruar dëshmi të mjaftueshme mbi dyshimet e arsyeshme se të dyshuarit janë të përfshirë në veprat penale të cekura më lart”, thuhet në njoftim.

“Hetuesit policorë, në koordinim me organet e drejtësisë kanë kontrolluar dy lokacione, njëri në Fushë Kosovë dhe tjetri në Prishtinë.

Në Fushë Kosovë, janë gjetur dhe sekuestruar: 6000 (gjashtë mijë) euro dhe dëshmi tjera, kurse në Prishtinë janë gjetur disa dokumente me shënime të ndryshëm (autorizime, kontrata, marrëveshje, akte noteriale etj.), të cilat do të përdoren si dëshmi në procedura të mëtejme gjyqësore.

Me aktvendim të prokurorit kujdestar, dy të dyshuarit u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve”, thuhet në njoftim.