Arrestohen shtatë persona rreth sulmeve në Teheran

10.06.2017 14:07:42
Autoritetet iraniane kanë arrestuar të paktën shtatë të dyshuar pas supozimeve se ata kanë ndihmuar militantët në dy sulmet terroriste të kësaj jave në Teheran.

Agjencia e lajmeve IRNA, ka cituar drejtuesin kryesor të provincës Alborz, Ahmad Fazelian të ketë thënë se shtatë persona janë arrestuar pasi dyshohen për “dhënien e ndihmës ndaj grupit terrorist”.

Grupi ekstremist Shteti Islamik e ka marrë përgjegjësinë për sulmet e 7 qershorit në parlament dhe tempulline Ajatollahut Ruhollah Khomeini, ku u vranë 17 persona dhe u plagosën më shumë se 50 të tjerë.

Më 9 qershor, autoritetet iraniane kanë njoftuar se kishin ndaluar 41 të dyshuar në lidhje me sulmet.

Ministria e Inteligjencës ka thënë se pesë personat e përfshirë në sulme ishin iranianë që u janë bashkuar grupit ekstremist në Irak dhe Siri.