Arrestohet për marrje ryshfeti zyrtari i Qendrës për Punë Sociale

12.10.2016 18:33:13

Zëdhënësi i Komunës së Vushtrrisë, Blerim Zhabari, e ka konfirmuar rastin dhe ka treguar se i arrestuari punon në Qendrën për Punë Sociale me seli në Prelluzhë.

Policia e Kosovës sot gjatë ditës ka arrestuar dhe ka dërguar në mbajtje punëtorin e Qendrës për Punë Sociale (QPS) të Vushtrrisë me inicialet V.K.

I kontaktuar nga Kallxo.com për rastin në fjalë, zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha ka thënë se personi është arrestuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti.

“Policia e Kosovës ka arrestuar një person me inicialet V.K., serb, i dyshuar për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar dhe marrje ryshfeti. Me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje për 48 orë”, tha Hoxha.

Kallxo.com ka kontaktuar edhe zëdhënësin e Komunës së Vushtrrisë, Blerim Zhabarin, i cili e ka konfirmuar rastin.

Po ashtu, ai ka treguar se i arrestuari punon në Qendrën për Punë Sociale në Prelluzhë.

“Personi është punëtor i Qendrës për Punë Sociale me seli në Prelluzhë. Kjo qendër menaxhohet nga Komuna e Vushtrrisë”, tha Zhabari.