Arsimi të jetë prioritet kombëtar i dy qeverive shqiptare

02.08.2017 15:13:53

U bisedua për bashkëpunimin e arsimit të të dyja vendeve

Ministri në detyrë i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami ka pritur sot në takim ministren e re të Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, Mirela Karabina, me të cilën ka biseduar për bashkëpunimin në arsim të të dyja vendeve. Bajrami tha se me ministren Karabini janë dakorduar që arsimi dhe edukimi duhet të jetë një fushë ku duhet të realizohet integrimi i sistemit arsimor.

Sipas tij, të ofrohet një arsim sa më unik dhe kombëtar, i bazuar në vlerat tradicionale kombëtare, por edhe në trendët bashkëkohore dhe evropiane. Ndër të tjera, ministri Bajrami theksoi se sistemi arsimor ende nuk është në nivelin që e dëshirojnë, por tha se gjatë këtyre tri viteve është vënë një bazë e mirë e bashkëpunimit dhe është rrëzuar muri ndarës i sistemit të edukimit.

Ndërsa, ministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, Mirela Karabina tha se shpreson që vitet e ardhshme të kemi edhe më shumë të materializuar bashkëpunimin ndërmjet dy qeverive.

Ministrja Karabina theksoi faktin se dje bashkë me ministrin Bajrami kanë marrë pjesë në hapjen e Seminarit të 13-të mbarëkombëtar të mësimit plotësues në gjuhën shqipe në diasporë.

Ajo e vlerësoi si mision të lartë patriotik punën e mësuesve që punojnë me fëmijët shqiptarë në diasporë për të ruajtur gjuhën, traditën dhe kulturën shqiptare.