Arsya pse bashkëpunoi në vrasjen e vjehrrës adoleshentja nga Durrësi

26.10.2016 22:53:04

Në listën e 21 personave shumë të kërkuar në qytetin e Durrësit janë edhe dy femra të shpallura nga policia në kërkim. Njëra prej tyre të tërheq vëmendjen për monstruozitetin e krimit të kryer, moshën e njomë në të cilën është përfshirë në krim dhe faktin që ka mundur t’i shpëtojë drejtësisë për rreth 20 vite.

Bëhet fjalë për Ornela Shefqet Domi (Shaba), e akuzuar për vrasjen në bashkëpunim të vjehrrës së saj më 30 maj të vitit 1997, shkruan Durreslajm. Sipas shtypit të kohës, por edhe burimeve policore, në kohën e krimit Ornela, për të cilën policia nuk disponon as foto, ishte vetëm 16 vjeç.

Ajo sapo ishte martuar dhe jetonte në shtëpinë e burrit të saj bashkë me vjehrrën, Dritën. Bashkëshorti ishte larguar menjëherë pas martesës në Greqi. Në atë kohë, bashkëshortja e tij adoleshente krijon lidhje intime me kushëririn e parë të burrit, djalin e xhaxhait, Xhurian Shabën.

Edhe ky i fundit ishte adoleshent, madje një vit më i vogël sesa gruaja e kushëririt të tij. Një natë, kur Xhuriani ishte në dhomën bashkëshortore të Ornelës, ata kapen mat nga vjehrra e nuses. E shokuar nga pamja që ka para syve, Drita tenton të largohet nga shtëpia, por qëllohet 5 herë me thikë nga Xhurian Shaba dhe vdes.

Për të mbrojtur të dashurin e saj dhe për të fshehur tradhëtinë bashkëshortore, Ornela sajon grabitjen e banesës nga ana e Xhurianit. Ky i fundit largohet nga shtëpia e xhaxhait me florinjtë, ndërsa Ornela lajmëron policinë.

Në fillim dyshohet se gjithçka ka ndodhur sipas rrëfimit të nuses 17­ vjeçare, por vite më vonë Policia e Durrësit rihap çështjen nisur nga këmbëngulja e burrit të Ornelës dhe birit të Dritës, Afrim Shabës. Që nga ajo kohë Ornela është shpallur e kërkuar nga drejtësia, madje është dënuar me 9 vite burg për vrasje të kryer në bashkëpunim, por ende nuk është bërë e mundur që Ornela Shaba, tashmë 36 vjeçe të vuajë dënimin për krimin e kryer.