Artan Cuku u hodh në rrugë nga shteti dhe u pre në besë

09.04.2017 23:13:53

Nga: Nevila Sokoli Xhindi

I ndjeri Artan Çuku, nuk të kam njohur, por përcolla një dhimbje të pafundme nga dhjetra miq të përbashkët, ndjeva që lotët e vunë tëposhtë trimërinë e burrërinë e tyre për shokun, mikun, kolegun që e përcollën të vrarë në pabesi nga dora e krimit lëshuar rrugëve.

Kush të vrau pak e përditë…deri atë ditë?

U ndjeve i vrarë e i pambrojtur në vendin tënd, nga shteti yt që i shërbeve, nga e përditshmëria e zymtë e ditëve pashpresa që kaloje për të marrë drejtësi…

U ndjeve i vrarë nga shteti që të hodhi ty në rrugë, të papunë, të preu në besë ty profesionistin në krye të policisë, ty që luftove krimin e bandat, ty që u përballe me të keqen për ta çliruar këtë vend nga llumi e balta, nga ato individë te shoqërisë që kërcënojnë e rrezikojnë jetën e secilit prej nesh. Tënden e morën, se shteti yt nuk ishte me ty, por me ata!

U ndjeve i vrarë nga drejtësia që nuk bëri drejtësi me ty deri në fund, për të të kthyer në detyrë. E pafuqishme u tregua përballë qeverisë së krimit që dëshpërueshëm, vend e pa vend na flet për vettingun…Qeshën, u gajasën me papunësinë e pambrojtjen tënde, liruan e amnistuan çdo kriminel të këtij vendi si për të të bërë karshillëk ty e të ngjashmëve të tu, për të të thënë që ne nuk të kthejmë dot në punë, je shumë profesionist, nuk je policia që duam!

….dhe natën e terrët ta morën jetën vërteti!

Dhe vdekja rëndon kur ish kolegët e tu që sot drejtojnë policinë, përmes deklaratave na ngopën me pista dyshimi që edhe për një film policesk për fëmijë nuk do bënin fabul. U dhëmb vdekja jote vallë? Apo pakti me krimin është lartësuar aq fort sa ka kapë mendjen e tyre delirante, duke i bërë të harrojnë që ….dhe vjen një ditë dhe historia përsëritet…

I lehtë të qoftë dheu!