Asnjë justifikim për angazhime kundërshtetërore dhe destabilizuese

Nga Rexhep Kastrati

Tashmë kur gjithçka ka dalë në skenë, dhe është bërë e qartë edhe publikisht se linja e Tiranës/Kretës dhe ajo udbasho-jugosllavokomuniste me gjithë korpusin medietik që kontrollojnë, janë të angazhuara me të gjitha forcat dhe kapacitetet që të bllokojnë funksionimin normal të shtetit dhe të institucioneve të tij, e që e kam thënë vazhdimisht gjatë viteve, sidomos gjatë këtyre viteve që përputhen me mandatin qeverisës të Qeverisë aktuale, edhe përgjegjësia e përfaqësuesve të LDK-së, sidomos e kuvendarëve të saj bëhet më e madhe për aq sa angazhimet e tyre përputhen me angazhimet për bllokimin e funksionimit të institucioneve të shtetit. Nëse më parë kanë mundur të fshihen mbrapa rugovizmit dhe elementeve të tjera emocionale për mbështetësit e LDK-së, tashmë nuk ka asnjë arsye, nuk ka asnjë justifikim për qëndrimet e tyre në kundërshtim me vendimet e forumeve të saj. Duhet të kuptohet se roli i tyre si kuvendarë të LDK-së nuk është i njëjtë me rolin që kanë ata që na çajnë dërrasa çdo natë në të ashtuquajtura debate në potrale dhe medie të kontrolluara nga segmente të politikës, por edhe nga struktura mafiozo-politike. Kuvendari ka mandatin e fituar nën siglën e partisë, e jo të emrit të tij personal, dhe është bërë kuvendar me mbështetjen e plotë të forumeve të saj. Dhe rregulli numër një është: për t’u bashkuar në një parti, apo organizatë tjetër duhet të pranosh Programin dhe Statutin e tyre,  e jo të sillesh sipas tekeve dhe interesave personale, klanore, apo sipas tekeve dhe interesave të partive dhe palëve të tjera. Opinioni i gjerë, mbështetësit e LDK-së, dhe ne të tjerët që me angazhime profesionale kemi mbështetur funksionimin normal të institucioneve, u jemi këndërvënë angazhimeve destabilizuese, nuk e kemi bërë që individët të realizojnë interesa personale në dëm të interesave të vendit. Mos ta ngatërrojnë mbështetjen për LDK-në, mbështetjen për rolin e saj të pazëvendësueshëm në shtetndërtimin dhe ruajtjen e aleancave euro-atlantike me angazhimet e papërgjegjshme të ndonjë kuvendari që këtë mandat e keqpërdor për interesa personale dhe që bie ndesh me vendimet, qëndrimet dhe interesat e LDK-së dhe të shtetit të Kosovës.