Asnjë rast aktiv me koronavirus në Pejë

10.06.2020 21:04:28

Në Komunën e Pejës aktualisht nuk ka asnjë rast aktiv me koronavirus.

Deri më tani në Kosovë janë evidentuar 1 mijë e 269 persona të prekur me koronavirus ku 74 prej tyre janë vetëm nga Komuna e Pejës.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Pejës, Petrit Loci, ka deklaruar për lajmi.net, se aktualisht në këtë komunë nuk ka asnjë rast aktiv me koronavirus, por që testimet janë duke u bërë në vazhdimësi.

Loci ka bërë të ditur se deri më tani kanë qenë 74 persona të prekur me koronavirus, ku fatkeqësisht dy kanë ndërruar jetë.

“Për momentin kemi zero raste aktive. Nuk kemi persona të dyshuar dhe gjendja është e qetë. Testimet janë duke u bërë kur ka raste që janë të dyshuar, por fatmirësisht mbrëmë i kemi pasur dy rezultate negative. Është punë e përditshme, por pozitiv për momentin nuk kemi asnjë. Gjithsej në Pejë kanë qenë 74 raste pozitive. Prej 74 të infektuarve, fatkeqësisht kemi pasur dy të vdekur”, ka treguar Loci për lajmi.net.

Ndryshe, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), nga data 08 shkurt deri më 10 qershor 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 17.479 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 1.298 raste, me gjithsej 31 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Deri më tani sipas IKSHPK-së, kanë vdekur 31 persona të cilët përveç se ishin të prekur me koronavirus, vuanin edhe nga sëmundje të tjera.

Po ashtu, në tërë Kosovën janë 913 persona që janë shëruar nga koronavirusi.

Në bazë të këtyre të dhënave, aktualisht në tërë Kosovën janë 354 raste aktive me koronavirus.