Aspekte të brendshme dhe rajonale të kundërshtimit të Gjykatës Speciale

20.01.2018 16:44:01

Nga Rexhep Kastrati

Kur Hashim Thaçi pat filluar një angazhim kundër Gjykatës Speciale, e që e pat shoqëruar me një retorikë arrogante dhe agresive, nuk kishte të bënte veç me shpërfaqje të ndonjë injorance apo frike personale, por edhe me një fushatë të nivelit të lartë për të imponuar pozitë të favorshme edhe në raport me zhvillimet e brendshme, edhe në raport me zhvillimet rajonale, edhe në raport me aleatët tanë strategjikë.

Në aspektin e zhvillimeve të brendshme, Hashim Thaçi mëtonte edhe forcimin e pozitës së tij edhe brenda PDK-së, por edhe në kontekst të pasojave që mund të ketë Gjykata Speciale brenda subjekteve të ndryshme politike, e rrjedhimisht edhe brenda institucioneve dhe shoqërisë sonë. Ballafaqimi me të vërtetën për  rolin e tij dhe të linjës që përfaqëson nëluftën dhe krimet e kryera, është një ballafaqim i rëndë si në aspektin moral, ashtu edhe në atë politik – kombëtar. Kam thënë vazhdimisht se frika nga Gjykata Speciale nuk është frikë për krimet e supozuara ndaj serbëve, por frikë për krimet ndaj shqiptarëve. Më tej, është frikë për lidhjet mafiozo-agjenturore kundërshqiptare dhe për tradhtitë, intrigat dhe pabesitë ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj luftës në përgjithësi. Prandaj, edhe përpjekjet për të imponuar pazare të ndryshme, në të cilat do të mund të shpëtonin lëkurën e tyre.

Kjo e fundit lidhet edhe me dimensionin rajonal, e që ka të bëjë me përpjekjet për faktorizimin e një grupi dhe lloji të njëjtë ideologjiko-politik. Kjo do të thotë që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj, por edhe Edi Rama e Ilir Meta po mundohen që edhe nëpërmjet çështjes së Gjykatës Speciale të paraqesin veten si faktorë të qenësishëm, dhe si faktorë që janë të vetmit me të cilët duhet të bashkëpunojë bashkësia ndërkombëtare. Gjatë viteve 2015-2017 gjithë angazhimet e tyre kanë qenë kundër Qeverisë së drejtuar nga kryeministri Mustafa, për ta paraqitur këtë të fundit si politikan të dobët dhe të paaftë për të mbajtur stabilitetin e vendit dhe për të marrë vendime të rëndësishme dhe të mëdha. Dhe se bashkësia ndërkombëtare nuk duhet ta shohin atë dhe LDK-në si partnerë për çështje dhe vendime të mëdha. Gjatë viteve 2015-2017 ishin të apura ndërhyrjet e Edi Ramës dhe të Ilir Metës në zhvillimet e brendshme në Kosovë me vizita dhe takime në Kosovë dhe në Tiranë qoftë me Hashim Thaçin, qoftë me Albin Kurtin, qoftë me Ramush Haradinajn. Ishte angazhuar edhe Fatos Klosi si ish-shef i SHIK-ut të Tiranës. Pra ishte rikthyer në skenë e njëjta strukturë që gjatë luftës ishte angazhuar kundër presidentit Rugova dhe linjës institucionaliste.

Në atë kohë, pra në vitet 2015 – 2017, bien edhe angazhimet e para kundër Gjykatës Speciale, fillimisht nga një shoqatë lokale në Klinë, e pastaj edhe nga organizatat e dala nga lufta, e që gjatë fundit të vitit të kaluar e institucionalizuan si nismë të 43 kuvendarëve të Kuvendit të Kosovës. Pra, qysh në vitet 2015 -2017, çështja e Gjykatës Speciale ishte shfrytëzuar për të treguar muskujt dhe për t’u paraqitur Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli si të vetmit partnerë të aleatëve tanë strategjikë dhe si të vetmit faktorë që mund të marrin vendim të mëdha. Vazhdimi i nismës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, nga shoqatata e dala nga lufta, përkatësisht nga Nasim Haradinaj, Ngucati, Jashari, etj. është vazhdim i angazhimeve për ta paraqitur Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin si faktorë të vetëm që mund të marrin vendim të mëdha, por edhe si atu e tyre para bashkësisë ndërkombëtare për të paraqitur gjoja vështirësitë që ka ballafaqimi me elementë që thirren në emër të luftës. Pra, e tëra bëhet për të siguruar pozitë të privilegjuar dhe garanci personale, sidomos pasi që edhe Ligji për Gjykatën Speciale, edhe vendosmëria e Gjykatës Speciale është se nuk kursehen asnjë nga bartësit e institucioneve të Kosovës. Hashimi, Kadriu dhe disa rreth tyre duan që të kenë garanci për veten e tyre, në mënyrë që të bëhen garantë për arrestime të të tjerëve.

Edhe Edi Rama e Ilir Meta po synojnë që duke e paraqitur veten me ndikim te shqiptarët në rajon, ashtu siç bënte edhe Fatos Nano, por edhe Sali Berisha pa sukses, të fitonin dhe të fitojnë pozitë të privilegjuar për veten e tyre. Me fjalë të tjera, Edi Rama dhe Ilir Meta duan t’i thonë bashkësisë ndërkombëtare se janë ata që mund të ndikojnë pozitivisht edhe për Gjykatën Speciale, edhe për sjelljet dhe veprimet e politikanëve shqiptarë në rajon. Sado që nuk thuhet, në fakt, kjo është një nga arsyet kryesore pse bashkësia mbështeti ardhjen e Fatos Nanos në pushtet, dhe më 2013, edhe të Edi Ramës dhe të Ilir Metës. Është e qartë se një ping pong rajonal ndërmjet Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiqit që binte ndesh me interesat dhe pozitën rajonale të Kosovës, është një nga përdorimet e këqija që Edi Rama ia bënte Kosovës për forcimin e pozitës së tij dhe për mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare për të qëndruar në pushtet.

Në fakt, Edi Rama jo njëherë, por së fundi, edhe me rastin e miratimit të Ligjit për gjuhët në Maqedoni ia atribuoi vetes dhe Qeverisë së tij meritat për këtë. Ai madje u shpreh se ky ligj nuk do të miratohej po të mos ishte ai në pushtet. Më parë, Edi Rama u mundua të luante rolin kryesor në arritjen e një platforme unifikuese të shqiptarëve në Maqedoni. Edhe Ilir Meta gjatë 20 viteve të fundit qoftë me vizitat në Beograd, qoftë me vizitat dhe ndërhyrjet në Maqedoni e Kosovë, e kaparaqitur veten si politikan me ndikim në rajon.

Edhe me çështjen e Gjykatës Speciale po ndodh e njëjta, me ç’rast Edi Rama dhe Ilir Meta  po e ofrojnë veten te bashkësia ndërkombëtare si politikanë që mund të ndikojnë në vendim-marrjen në Kosovë. Në këtë mënyrë, sikurse Hashim Thaçi e Kadri Veseli në Kosovë, edhe Edi Rama dhe Ilir Meta po përpiqen të sigurojnë pozitë të privilegjuar dhe ta imponojnë veten si faktorë pa të cilët rrezikohet edhe stabiliteti i brendshëm,por edhe ai rajonal. Derisa Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli interes kanë për pazare personale në raport me zhvillimet e brendshme, edhe në raport me Gjykatën Speciale, Edi Rama dhe Ilir Meta kanë interes për pozitën e tyre institucionale dhe për vettingun.