Ata që janë kundër Gjykatës Speciale, po e njollosin UÇK-në dhe po i rehabilitojnë krimet serbe në Kosovë

18.01.2018 14:58:05

Nga Rexhep Kastrati

Ambasadori amerikan, Greg Delawie, edhe një herë ka bërë të qartë qëndrimin e prerë të SHBA-ve për mosshfuqizimin e Gjykatës Speciale, duke bërë të qartë se ata që do të jenë proshfuqizimit dhe miratojnë në Kuvend një nismë të tillë, do të bartin pasoja të rënda. Po ashtu, ambasadori Delawie, ua hoqi të gjitha shpresat se me shfuqizimin eventual të Gjykatës Speciale do të pushojnë përndjekjet dhe arrestimet e kryesve të krimeve të ndryshme, pasi që bëri të qartë se SHBA-të do t’i shkojnë deri në fund kësaj çështjeje. Në këtë mënyrë është mëse e qartë se SHBA-të e shohin çështje të rëndësishme çështjen e Gjykatës Speciale dhe mbylljen e kapitullit të krimeve të luftës në Kosovë.

Në këtë kontekst, bien poshtë të gjitha retorikat mashtruese dhe pseudopatriotike të atyre që kanë ndërmarrë një nismë për shfuqizimin e Gjykatës Speciale që thonë se kjo Gjykatë njollos luftën e UÇK-së dhe prish imazhin e Kosovës, sepse SHBA-të dhe aleatët tjerë strategjikë nuk kanë intervenuar ushtarakisht, nuk kanë udhëhequr një proces të pavarësimit të Kosovës për ta njollosë UÇK-në apo për t’ia prishur imazhin Kosovës. Në fakt, askush nga kundërshtarët e Gjykatës Speciale nuk thotë se cili do të ishte interesi i SHBA-ve dhe aleatëve të tjerë që të njolloste UÇK-në, kur dihet se kjo e fundit ka qenë aleate, apo siç thuhej, ushtri tokësore e NATO-s? A nuk kihet parasysh se një njollosje e UÇK-së, do të ishte një argument shtesë për të gjithë ata që nuk e kanë parë dhe nuk e shohin pozitivisht ndërhyrjen ushtarake të NATO-s? Në anën tjetër, prishja e imazhit të Kosovës, në fakt, është prishje e imazhit të investimit më të lartë amerikan në Kosovë, sepse shteti i Kosovës është realizuar dhe po qëndron vetëm falë mbështetjes dhe përkushtimit të SHBA-ve dhe të aleatëve të tjerë. Xhon Keri, ish-sekretari amerikan i Shtetit, gjatë qëndrimit në Kosovë pat deklaruar: Sovranitetin e Kosovës e garantojmë ne, ju luftonie krimin dhe korrupsionin dhe merruni me zhvillimin ekonomik, se SHBA-të kanë investuar shumë në Kosovë. Të njëjtën, afërsisht pat thënë edhe ish-zëvendëspresidenti amerikan, Xho Bajden. Pra, nuk ka asnjë argument se SHBA-të dhe aleatët tjerë kanë çfarëdo interesi për ta njollosë UÇK-në, apo imazhin e Kosovës.

UÇK-në e kanë njollosur politikanët, komandantët dhe personalitete të tjera që në emër të saj mund të kenë bërë krime, mund të kenë plaçkitur, uzurpuar pasuri shtetërore, publike, private, dhe që kanë keqpërdorë AKM-në për privatizime formale të pasurisë kombëtare. UÇK-në e kanë njollosur politikanët, komandantët dhe personalitete të tjera që në emër të saj kanë kapur institucionet dhe i përdorin ato për qëllime të tyre, qoftë për zhvillimin e do proceseve formale gjyqësore gjoja për të shpallë pafajësinë e tyre, qoftë për të legjitimuar uzurpimet e ndryshme etj. UÇK-në e kanë njollosur politikanët, komandantët dhe personalitete të tjera që në emër të saj kanë instaluar një sistem mafiozo-agjenturor kundërshqiptar, që kanë ndarë Kosovën mbi baza etnike dhe që me politikanë dhe pushtetarë serbë kanë bërë takime dhe marrëveshje të fshehta dhe të hapura në dëm të Kosovës, e që në aspektin gjeopolitik e gjeostrategjik kanë cenuar dhe cenojnë orientimin euro-atlantik të Kosovës dhe po i vënë në dyshim marrëdhëniet me SHBA-të dhe me aleatët tjerë strategjikë.

Janë të gjithë këta që në fakt janë kundër Gjykatës Speciale, e cila nuk është e orientuar as kundër UÇK-së, as kundër Kosovës, dhe, siç janë deklaruar miq dhe aleatë tanë në krye me SHBA-të, Gjykata Speciale nuk gjykon organizata, as shtete, por individë që kanë kryer krime. Pra, gjykon kryesit e krimeve, jo UÇK-në, as shtetin e Kosovës. Prandaj frika nga Gjykata Speciale nuk është frikë se po njolloset UÇK, apo imazhi i Kosovës, por është frikë që ka të bëjë me vetë krimet e kryera, dhe po merren vesh lidhjet e tyre me agjentura kundërshqiptare. Kam thënë edhe në kohën kur diskutohej dhe miratoheshin ndryshimet kushtetuese për Gjykatën Speciale më 2015, por edhe më parë dhe më pastaj, kurse tash po e thonë si zakonisht edhe të tjerë, se frika kryesore e tyre ka të bëjë me krimet e kryera ndaj shqiptarëve, ka të bëjë me lidhjet e tyre mafioze dhe agjenturore kundërshqiptare. Një nga arsyet për frikë, ndërkaq, ashtu siç e kam thënë vazhdimisht, ka të bëjë edhe me faktin se janë shokët apo ish-shokët që kanë dhënë dëshmi gjatë viteve, ka, po ashtu, gazetarë dhe personalitete të të ashtuquajturës shoqëri civile që kanë dhënë dëshmi mbi të cilat janë bazuar akuzat që pritet të ngrihen.

Me gjithë këto, është e qartë se kundërshtimi dhe përpjekjet për shfuqizimin e Gjykatës Speciale janë të dëmshme, të rrezikshme dhe që në theln njollosin edhe UÇK-në, edhe prishin edhe mëmtej imazhin e Kosovës, si dhe rehanilitojnë krimet serbe, ashtu siç po ka tendenca për të rehabilituar edhe krimet e Oliver Ivanoviqit të vrarë në stilin e punëve mafiozo-agjenturore serbe. Njollosin UÇK-në see përdorin si mbruojë për të fshehur krimet individuale, se vënë në dyshim karakterin çlirimtar të luftës së bërë, si dhe vënë në dyshim dhe cenojnë rëndë marrëdhëniet me SHBA-të dhe me aletatët tjerë strategjikë. Pavarësisht nga natyra dhe thelbi i linjës së Tiranës/Kretës, UÇK është më e gjerë se ajo dhe nuk mund të njëjtësohen, pasi që UÇK ka qenë oranizatë e mijëra djemve dhe vjazave, grave dhe burrave, plakave dhe pleqve, të shumë njerëzve liridashës anekënd botës liridashëse, kurse linja e Tiranës/Kretës ka qenë dhe ka mbetur një grusht i vogël i njerëzve të dyshimtë për lidhje mafiozo-agjenturore dhe kriminale. Duke kundërshtuar dhe duke bërë përpjekje për të penguar gjykimin e rasteve individuale dhe të individëve, ata që kundërshtojnë Gjykatën Speciale dhe që bëjnë përpjekje për ta shfuqizuar atë, në fakt, po ia bëjnë një shërbim të madh, po i japin kredite të forta Serbisë për të akuzuar shqiptarët dhe Kosovën se janë kundër gjykimit të krimeve të luftës, se janë kundër vendosjes së paqes dhe stabilitetit në rajon dhe i japin mundësinë për të zmadhuar peshën e krimeve të supozuara të kryer nga individë shqiptarë, sa që të relativizojnë edhe peshën e krimeve serbe në Kosovë. Në këtë kontekst, duhet kuptuar edhe deklaratën e fundit të Vuçiqit se gjoja serbët nuk kanë kryer krime në Kosovë.

Le të kujtojmë: Sadako Ogata, udhëheqësja e UNHCR-së gjatë dhe pas luftës në Kosovë, e që personalisht dhe organizata në fjalë kanë bërë shumë për Kosovën dhe për shqiptarët, pas luftës do të deklarojë: Në Kosovë, agresori dhe viktima janë njësoj, veç viktima nuk ka mundur ta bëjë atë që ka bërë agresori. Dhe kjo falë disa rasteve kriminale të kryer ndaj serbëve lokalë dhe ndaj ndonjë faltore apo varreze serbe.

Kosova nuk mundet më të paguajë çmimin për krimet e kryera nga disa individë, as të lejojë të njolloset roli i shqiptarëve si viktimë e gjenocidit serb, dhe as të vihen në dyshim oreintimet gjeopolitike e gjeostrategjike të shqiptarëve në kontekstin gjeopolitik e gjeostrategjik euro-atlantik. Kosova ka interes të çlirohet nga barra dhe përgjegjësia kolektive që po bart për shkak të pafuqisë dhe paaftësisë për të pastruar hespat me të kaluarën e afërt të saj dhe për të hapur hirozonte të reja të së ardhmes në partneritet me SHBA-të dhe me aleatët tjerë strategjikë.