Ata të cilët deshën ta kallin Republikën, pretendojnë ta rilindin Republikë

17.08.2017 10:18:53
Flamur Beqiri
Sigurisht të ngazllyer deri në delir, me numrin e votave të fituara gjatë zgjedhjeve të fundit, ata të cilë mohonin Republikën, deri dje, në mënyrën më të vrazhdë, sot, po duakan ta ribëjnë atë! A nuk është degraduese dhe ofenduese kjo qasje e juaja për të gjithë ata breza të cilët u burgosën u maltretuan dhe u vranë nëpër kazamatet e Jugosllavisë së Kralit e burgjeve të Rankoviqit e Millosheviqit, për të gjithë ata breza të cilët u katandisën e u syrgjynosën n’pus pa fun, të shkretëtirave të Anadollit ku u shterrën syshë e u shkrumbuan për këtë dhé, dhe a nuk është ofenduese për të gjithë ata breza të cilët luftuan e u flijuan për lirinë e Kosovës! A thua, me juve paska filluar lufta për lirinë e Kosovës?! Kush jeni more ju, që i jepni vedi këtë të drejtë? Kush jeni more ju, ta përdhosni gjithë atë punë, gjithë atë luftë, n’dash me pêndë, n’dash me armë, me t’mirat e t’kqijat e saj, e cila është zhvilluar me dekada? Po, ju jeni ata të cilët policët tuaj i gjuani me Molotov, ju jeni ata të cilët jau shtini flakën godinave dhe pronës së republikës së Kosovës, ju jeni ata të cilët gazin lotësjellës e konsideroni mjet politik, ju jeni ata që e përbaltni Flamurin e Kosovës, na pëlqeu apo s’na pëlqeu, ju jeni ata të cilët e keni model dhe udhërrëfyes politik Leninin dhe rrjedhimisht Stalinin dhe Hrushqovin, ju jeni ata të cilët pohoni se në Kubë dhe Kinë ka pluralizëm politik! Ju dëshironi ta ribëni Republikën!? Ju jeni ata të cilët manipuloni të rinjët e Kosovës me Cheguevarizmin model të revolucionit për liri, ju jeni ata të cilët Regis Debray-in, e keni frymëzues të aktiviteteve partizane dhe edukativo politike të natës, ju jeni ata të cilët përmes të së drejtës për ushtrimin e fesë, manipuloni me besimtarët, ju jeni ata të cilët keni keqëpërdorur namazin e taravive gjatë zgjedhjeve të fundit me “ders” politik, ju jeni ata të cilët keqpërdoroni xhamitë për ligjërata politike! Ju nuk mbani kravata, në fakt keni filluar tash së voni! A thu pse more? Ndoshta hoxhë Omer Bajrami e ka përgjegjjen! Ju edhe bukëpërmbysësa jeni! A ju kujtohet kur e sulmuat ambasadoren e SHBA-ve, shtetit mik të shiptarëve deri në përjetësi! Tash, në këtë fazë, ju kërkoni nga ne, LDK, të bëhemi me juve! Ju të cilët nuk keni “kohuna” me shku te varri Rugovës e me ja marr patin! Ju, të cilët,deri dje nuk lat t’zezë pa na e thanë e pa na e mveshë! Ju degraduat deri në masën sa e sulmuat edhe shtëpinë e Kryetarit të LDK-s, Kryeministrit Mustafa! Ju së bashku me, po ata për të cilët thoni se nuk do t’i votoni e rrëzuat Qeverinë! Ju, në bashkëpunim dhe koordinim me të njëjtit fusnit “tinza” lotsjellësin në Kuvend! E tash, kërkoni bashkëpunim me neve për t’i rrëzuar po të njëjtit! Andaj, prap, mund të bëheni bashkë, kuptoheni më mirë mes veti!