Atentat në mes të rrugës kryemafiozit, breshërisë së plumbave nuk u shpëton as 4-vjeçarja

08.05.2019 16:39:17

Një atentat me armë ndodhi të premten e shkuar në qendër të Napolit. Bëhet fjalë për atentatin ndaj një anëtari të Camorras, 32-vjeçarit Salvatore Nurcaro, i cili i plagosur nga breshëria e plumbave. Gjithashtu në këtë atentat mbeti e plagosur rëndë një vajzë 4-vjeçare, si dhe një grua 50-vjeçare.

Në video shihet atentatori i veshur me të zeza dhe me fytyrën e mbuluar, i cili zbret nga një motor dhe i afrohet në këmbë objektivit.

Dyshja përballet për pak sekonda, më pas Nurcaro ia mbath me të katërta, por atentatori e ndjek nga pas duke qëlluar me armë, pa u shqetësuar aspak për njerëzit të cilët ndodheshin në rrugë në atë moment.

E pasi dështon në atentatin e tij, autori rikthehet tek motori dhe largohet. Policia tha se në total kishte gjetur 6 gëzhoja arme. Sa i përket Nurcaros, ai rezulton person me precedentë të shumtë penalë dhe i përfshirë me mafian lokale të Camorras.