Avdullah Hoti: Komuna e Ferizajt kërkon stabilitet të qëndrueshëm, të cilin vetëm LDK e ofron dhe e garanton

07.01.2021 21:19:33

Kandidati për kryeministër nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka mbajtur një takim me qytetarët në komunën e Ferizajt.

Hoti ka thënë se në Ferizaj janë pritur ngrohtësish.

“Në Ferizaj, ndryshe në qytetin e zhvillimit, u pritëm ngrohtësisht nga strukturat, anëtarët dhe simpatizantët e LDK-së. LDK-ja, shtëpia jonë politike është dhe do të mbetet e bashkuar, pasi që kjo është nevojë për vendin, normalitetin dhe zhvillimin e tij”, ka shkruar Hoti në profilin e tij në Facebook.

Më tej, Hoti ka thënë se komuna e Ferizajt kërkon stabilitet të qëndrueshëm, që sipas tij, vetëm LDK mund ta ofrojë.

“Ky qytet i zhvilluar dhe i dalluar për shkathtësitë e njerëzve në të bërit biznes kërkon një stabilitet të qëndrueshëm dhe mbështetje të vazhdueshme, të cilin vetëm LDK-ja e ofron dhe e garanton”, ka pohuar ai.

Kujtojmë se zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare do të mbahen më 14 shkurt, kurse partitë politike kanë 10 ditë kohë për të bërë fushatë elektorale, nga data 3 e deri më 12 shkurt.