Avdullah Hoti: Luftimi i korrupsionit kthehet si kriter për vizat

25.10.2017 10:52:04

Shefi i Grupit Parlamentar dhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka ngritur një shqetësim në seancën e sotme të Kuvendit lidhur me liberalizimin e vizave.

“Dëshiroj të shpreh shqetësimin për liberalizimin e vizave, ne kemi pasur takime, grupi ynë parlamentar dhe kryesuesit e Komisioneve ku na është thënë qartë se në listën e kritereve për liberalizim të vizave është kthyer edhe çështja e luftimit të korrupsionit”.

“Në qeverinë paraprake janë plotësuar 93 nga 94 kriteret e parapara, duke mbetur vetëm çështja e Demarkacionit me Malin e Zi. Tash jemi të shqetësuar sepse është shtuar edhe njëherë si kriter luftimi i korrupsionit”, ka thënë Hoti.

Ai poashtu ka thënë se do të kërkojë një seancë parlamentare lidhur me këtë çështje, për të kuptuar se cilat janë përpjekjet e Qeverisë për këtë çështje dhe cilat janë arsyet që ky kriter është kthyer.