Kosovës do t’i duhet të negociojë një marrëveshje të re me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) për të kontrolluar kostot e huamarrjes, pasi kredia aktuale përfundon këtë verë, i ka thënë të martën agjencisë së lajmeve Reuters, Ministri i Financave në detyrë, Avdullah Hoti.
Hoti tha se një nga detyrat e para të qeverisë së re, të cilën ai do ta marrë përsipër ta udhëheqë pas zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit, do të jetë fillimi i negociatave me Fondin.
Kosova ka nënshkruar një marrëveshje dyvjeçare financimi me FMN-në, në korrik të vitit 2015, me vlerë 184 milionë euro. Në mars, Bordi i FMN-së ka miratuar zgjatjen e kësaj marrëveshje deri më 4 gusht të këtij viti, për t’i dhënë kohë të mjaftueshme avancimit të reformave strukturore që janë duke u bërë.
“FMN-ja na jep kredibilitet. Kosova është një vend i ri, ne duhet të financojmë shumë projekte infrastrukturore”, tha Hoti në një intervistë telefonike për Reuters.
Ditëve të fundit ai ka udhëtuar në Bruksel për një takim të ministrave të financave të Ballkanit Perëndimor, të sponsorizuar nga Bashkimi Evropian (BE).
Hoti ka theksuar se investimi në projekte të mëdha infrastrukturore, siç janë hekurudhat, rrugët rajonale, madje edhe sistemi i ujitjes, i cili do të përmirësonte prodhimin e bujqësisë, është një prioritet për autoritetet në Kosovë.
Kosova ka shpallur zgjedhje të parakohshme, pasi Parlamenti i Kosovës ka rrëzuar qeverinë e kryeministrit Isa Mustafa me një mocion mosbesimi. Lidhja Demokratike e Kosovës e ka emëruar Hotin si kandidatin e saj për kryeministër.
“Ne presim që qeveria të formohet shpejt pas zgjedhjeve, ne nuk kemi shumë kohë për të humbur”, tha Hoti.
Me një popullsi prej 1.8 milion banorësh, Kosova ka pasur ritme të larta rritjeje pas shpalljes së pavarësisë nga Serbia, në vitin 2008. Por, kjo nuk ka mjaftuar për të ulur normën e papunësisë prej 30 për qind.