Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti i ka reaguar kryeministrit aktual të vendit, Albin Kurti, i cili tha se për dialogun ka mësuar më shumë gjatë vizitës në Bruksel se sa në Kosovë në qeverinë e tij, duke aluduar kështu se aty nuk ka pasur dokumente dhe raporte mbi këtë proces.
Me anë të një postimi në Facebook, Hoti ka thënë se qeveria paraprake ka qenë plotësisht e përgatitur për dialogun, shkruan lajmi.net.
Në këtë kontekt, Hoti ka përmendur katër parimet e Kosovës në procesin e dialogut, ku përfshihet mos-diskutimi i pavarësisë, integritetit, oganizimit të brendshëm Kushtetues, si dhe njohja reciproke.
Kësisoj, Hoti ka thënë se Kurti i ka pranuar të gjitha dokumentet dhe informatat për të gjitha zhvillimet në procesin e dialogut.
Sidoqoftë, ai thotë se është i gatshëm për çdo informatë shtesë në këtë proces.
“Kryeminsitri aktual ka pranuar TË GJITHA informatat për TË GJITHA zhvillimet në procesin e dialogut. Unë mbetem i hapur dhe i gatshëm për çdo informatë për këtë proces gjatë kohës sa kam shërbyer si kryeministër i vendit”, ka shkruar Hoti.






































