Avdullah Hoti: Presidenti po krijon precedent të rrezikshëm për sistemin zgjedhor dhe për demokracinë

08.06.2018 12:00:13

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka kërkuar nga nga presidenti i vendit Hashim Thaçi që sa më parë të kryej obligimin e tij kushtetues, duke emëruar anëtarët e Komisionit Zgjedhor të Zgjedhjeve (KQZ).

Këtë deklaratë Hoti e bëri në konferencë e rregullt javore të LDK-së, ku tha se është hera e parë që bllokohet ky institucion nga presidenti i vendit.

Sipas tij, presidenti ka krijuar një precedent të rrezikshëm për sistemin zgjedhor në vend edhe për demokracinë.

“Presidenti e ka bllokuar Komisionin Zgjedhor të Zgjedhjeve (KQZ), nga data 27 mars të këtij viti. Është hera e parë që ndodh bllokimi i këtij institucioni që nga themelimi i saj .Presidenti nuk është duke e kryer detyrat e veta, ku ai duhet të pranoj propozimet nga subjektet politike për anëtarët e KQZ-së. Me këtë vonesë të funksionalizimit të KQZ-së, presidenti ka krijuar një precedent të rrezikshëm për sistemin zgjedhor në vend edhe për demokracinë. Mos funksionalizimi i KQZ-së për dy muaj ka ndikuar negativisht në punën e kuvendeve komunale në veçanti. Sot ka me dhjetëra kërkesa nga kuvendet komunale që presin për zëvendësim të këshilltarëve komunal në KQZ. Kërkojmë që presidenti sa më parë të kryej obligimin e tij kushtetues dhe të emëroj anëtarët e KQZ-së”, ka thënë Hoti.