Avni Mazreku: Mos formimi i Qeverisë rrezikon Kosovën për BE, NATO, liberalizim të vizave…

28.07.2017 14:45:58
Rrëzimi i Qeverisë së Kosovës, zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe vonesat për formimin e Qeverisë ndikojnë negativisht në rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian dhe organizatave ndërkombëtare.

Kështu ka deklaruar analist për çështje ndërkombëtare, Avni Mazreku.

“Çfarëdo krize institucionale, edhe pse ende nuk mund ta kualifikojmë Kosovën që ka krizë institucionale, ndikon negativisht në agjendën që e ka vendi përpara, agjendë kjo shumë e rëndësishme dhe e komplikuar”, ka thënë ai.

Mazreku thotë, se pa konsolidimin e plotë të institucioneve që nënkupton formimin e Qeverisë dhe puna funksionale e Parlamentit te Kosovës nuk mund të bëhet liberalizimi i vizave.

“Për Kosovën në procesin e liberalizimi të vizave janë vendosur dy kritere të cilat nuk mund të plotësohen pa konsolidimin e plotë të institucioneve që nënkupton formimin e Qeverisë dhe puna funksionale e Parlamentit te Kosovës. Këto janë çështje të debatueshme, por edhe është bërë e qartë nga ana e Bashkimit Evropian se agjenda për marrjen e vendimit final për liberalizimin e vizave nuk do të ketë pa ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me me Malin e Zi”, ka thënë analisti.

Çështja e dytë që është jetike për Kosovën, thotë Mazreku,  kërkon kompromis nacional, e ky kompromis nacional, sipas tij, arrihet në funksionalizimin e Parlamenti dhe krijimin e një qeverie efektive për krijimin Ushtrisë së Kosovës.

“Në mungesë të Ushtrisë së Kosovës nuk mund të aplikohet në NATO, pra anëtarësimi i Kosovës në Aleancë është esencial siç është edhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian, pasi NATO  ofron siguri për shtete e saj anëtare. Bërja e Kosovës anëtare e NATO-s do ta zgjidhte një herë e përgjithmonë çështjen e sigurisë që Kosova në këtë shkalë është ende në fazën e zhvillimit”, deklaroi ndër tjera ai.

Tutje, Mazreku potencoi, se Kosova ka dështuar në anëtarësimin e saj në disa organizata të specializuara të Kombeve të Bashkuara siç është UNESCO; lidhet esencialisht me funksionalizmin e institucioneve të saj.

“Kosova ka edhe probleme të tjera, siç është aplikimi i marrëveshjes për stabilizim asociim, është marrëveshje kornizë që e rregullon raportin kontraktual ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës. Andaj mos funksionalizimi institucional e zgjatë listën e problemeve të cilat edhe me funksionimin e rregullt të tyre është vështirë të arrihet shtet-ndërtimi i Kosovës”, ka thënë Mazreku.