Avokatët kundërshtojnë paraburgosjen e të dyshuarve për terrorizëm

06.11.2016 13:49:24

Gjykata Themelore e Prishtinës dje në orët e mbrëmjes vendosi për caktimin e masës së sigurisë ndaj shtatë personave të arrestuar nën dyshimin për përgatitje të veprave terroriste.

Një ditë më pas, disa nga avokatët e të dyshuarve kanë paralajmëruar ankesë ndaj këtij vendimi, duke i quajtur “spekulime” pretendimet e Prokurorisë.

Prokurorja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Merita Bina-Rugova, pretendon se të dyshuarit sipas udhëzimeve të ish-udhëheqësit të shqiptarëve në Siri, Lavdrim Muhaxherit, gjatë muajve shtator-tetor 2016 kishin planifikuar sulme terroriste së pari në Kosovë e pastaj edhe në vende të tjera të Ballkanit.

Por krejt ndryshe nga prokurorja e këtij rasti pretendojnë disa nga avokatët e të arrestuarve.

Avokati, i L.M., Nasuf Hasani, thotë për KALLXO.com se përpos që pretendimi i Prokurorisë është i pambështëtur në ligj rrezikon të përkeqësojë edhe imazhin e Kosovës.

“Prokurorja e rastit nuk ka ofruar asnjë provë të vetme që tregon përfshirjen e të mbrojturit tim në veprat që Prokuroria pretendon. Për më tepër nuk janë plotësuar asnjë nga kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit. Pretendimi për vepra të tilla nga prokurorja jo vetëm që u qet hije të keqe të dyshuarve por edhe prish imazhin e Kosovës si shtet”, tha Hasani.

Edhe avokati tjetër që mbron L.V., Skender Musa, tha se nuk ka asnjë provë sa i përket të mbrojturit të tij.

“Ankesa e jonë sa i përket paraburgimit ka të bëjë pikërisht me dyshimin e bazuar mirë, pasi që konsiderojmë se PSRK nuk ka fare prova sa i përket të mbrojturit tim. L.V., nuk ka asnjë përgjim që ka komunikuar me ndonjë person të dyshimtë për kryerjen e ndonjë vepre penale, nuk ka të kaluar kriminale, nuk ka udhëtuar as nuk ka tentuar të shkojë kurrë në vendet ku vepron ISIS”, tha Musa për KALLXO.com

Musa më tej tha se i mbrojturi i tij nuk ka marrë pjesë në asnjë organizim madje as në Kosovë, është student i shkencave kompjuterike dhe është besimtar që praktikon fenë islame dhe asgjë më shumë.

“Dyshimet janë të pabaza dhe caktimi i paraburgimit është i pabazuar pasi që nuk ka asnjë fakt, por bazohet në spekulime dhe kjo formë e caktimit të paraburgimit pa dyshim se ia ka shkelë të mbrojturit tim të drejtën themelore siç është e drejta e lirisë dhe e drejta e besimit që janë të garantuara me Kushtetutë të vendit dhe kartat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, tha Musa.

V.I., L.M., B.B., B.I., K.P., L.V. dhe L.M. u arrestuan gjatë një aksioni të Policisë së Kosovës në mbrëmjen e së premtes ndërsa prokuroria pretendon se këta persona mbanin kontakte edhe me persona të tjerë në Shqipëri dhe Maqedoni.