Avokati i Popullit thotë se PDK-ja shkeli Konventën për të Drejtat e Fëmijëve

22.05.2017 23:25:50

Paraqitja e fëmijëve në një videospot të Partisë Demokratike të Kosovës për fushatë parazgjedhore, konsiderohet si shkelje e të drejtave të fëmijëve.

Institucioni i Avokatit të Popullit, vlerëson se në këtë video është shkelur Konventa për të Drejtat e Fëmijëve.

Edhe Koalicioni i Organizatave Joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve, KOMF, ka bërë thirrje nga subjektet politike që të mos i shfrytëzojnë fëmijët për fushata propaganduese politike.

Askush nga Partia Demokratike e Kosovës nuk ka pranuar të flasë për këtë temë.
Valmir Ismaili nga Demokracia Plus, thotë se është shqetësues shfrytëzimi i fëmijëve për fushata zgjedhore, raporton KTV.

Sipas tij, është jotransparente mosdeklarimi i mjeteve financiare për publikimin e spoteve të tilla politike.

Edhe Komisioni i Pavarur i Mediave ka kërkuar nga mediat që të kenë kujdes në transmetimin e spoteve politike, në të cilat shfaqen fëmijët, meqë Kodi i Etikës e ndalon përdorimin e tyre në spote politike.