Shtyhet gjykimi i Besnik Berishës për skandalin me pasaportat

22.05.2017 23:10:09

Për shkak se mungoi kryetarja e trupit gjykues, gjykimi ndaj Besnik Berishës, i akuzuar për shpërdorim të detyrës u shty për më 29 maj.

 

Kryetarja e trupit gjykues, Nora Bllaca-Dula, mungoi për shkak se gjendet në një udhëtim zyrtar jashtë vendit.

Ish-zyrtari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Besnik Berisha, po akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për publikimin e procesit të punës së prodhimit të dokumenteve dhe shenjave të sigurisë të pasaportave, duke u ngarkuar për shpërdorim detyre dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare.

Prokuroria pretendon në aktakuzë se Berisha informacionet për prodhimin e dokumenteve dhe shenjave elementare të sigurisë së pasaportave biometrike-vendosjen e çipit, mënyrën e lansimit dhe qepjen e tyre i dha në emisionin “Interaktiv” të KTV-së më 4 shkurt 2015.

Aktakuza shpjegon se të dhënat që publikoi Berisha ishin klasifikuar si sekrete më 1 tetor 2013.

Aktakuza ndaj Berishës u ngrit në maj të vitit të kaluar.