Avokati Koci: Arrestimi i shtetasve turq, skandal i radhës i shtetit të Kosovës

29.03.2018 23:01:13

Policia e Kosovës ka arrestuar gjatë ditës së sotme gjashtë shtetas turq, punëtorë të kolegjit Mehmet Akif, shkollë e cila është pjesë e rrjetit të shkollave të klerikut Fetullah Gulen. Për këtë rast ka reaguar edhe avokati Arianit Koci. Ai në një status në Facebook ka thënë se arrestimi i tyre është skandali i radhës i shtetit të Kosovës, i cili, sipas tij mund të rrezikojë seriozisht përpjekjet për anëtarësim e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Ky është postimi i plotë i Kocit në Facebook:

Arrestimi i sotëm dhe deportimi (i pretenduar) i shtetasve turq drejt Turqisë është skandal i radhës i shtetit të Kosovës, i cili mund të rrezikojë seriozisht përpjekjet për anëtarësim e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Ndalimi dhe arrestimi i të huajve nga Policia e Kosovës pa pasur urdhër të gjykatës apo të prokurorisë, pastaj revokimi i lejeqëndrimit të tyre pa fakte dhe prova që do të mund të mbështesin pretendimin se të njejtit e rrezikojnë sigurinë shtetërore, pengimi i tyre për të komunikuar me avokatët e tyre dhe së fundmi deportimi (i pretenduar) i tyre duke ua mohuar të drejtën e ankesës në gjykatën kompetente, janë veprime që bien ndesh me ligjet e Kosovës dhe të drejtën ndërkombëtare.

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut e ka ndaluar në mënyrë absolute deportimin e shtetasve të huaj në vendet ku ata rrezikojnë t’i nënshtrohen torturës dhe trajtimit çnjerëzor ose degradues, pa një shqyrtim të arsyeshëm dhe objektiv të rastit të çdo individi të grupit.

Hap pas hapi, Kosova po dështon për të dëshmuar se është një anëtare potenciale e denjë për t’iu bashkuar BE-së dhe organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut si Këshilli i Evropës.

Nëse këta qytetarë turq ende gjinden në hapësirat e aeroportit të Prishtinës, u bëj apel organeve kompetente që të korrigjojnë gabimet e bëra, për të mirën e Kosovës.