Avokati që ka studiuar në Bolonja, dorëzon kandidaturën për Kryeprokuror

26.04.2019 13:10:35

Paraditen e sotme, një tjetër kandidaturë ka dorëzuar dosjen voluminoze për postin e Prokurorit të Përgjithshëm. Gazeta Shqip mëson ekskluzivisht se bëhet fjalë për avokatin e njohur, Lulzim Alushaj.

Deri më tani, janë vetëm 2 kandidatë që garojnë për postin e Kryeprokurorit. I pari është Olsian Çela i cili vjen nga radhët e prokurorisë, dhe i dyti është Lulzim Alushaj me një karrierë të pasurë në të drejtën civile.

Ndërkohë që pritet të garojë edhe Arta Marku, Prokurorja e Përkohshme e Përgjithshme aktuale.

CV e pasur e kandidatit për Kryeprokuror, Lulzim Alushaj

Ai është një nga pretendentët më të fortë në këtë garë, duke parë karrierën dhe aftësitë profesionale.

Prej vitit 2005, ai ka marrë titullin profesional “Avokat nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë” në Itali. Ai gjithashtu është doktor i shkencave juridike me rezultate të shkëlqyera në Napoli.

Lulzim Alushaj rezulton i vetmi të ketë mbaruar doktoraturën në një vend të Bashkimit Europian, në radhët e sistemit të drejtësisë dhe ky është një avantazh në garën për Prokuror të Përgjithshëm.

Doktoraturën në Itali e ka mbrojtur në fushën e studimeve, “Qeverisja e BE-së, politikat shoqërore dhe fiskale” si dhe ka mbrojtur temën me titull: “Politikat e integrimit evropian, duke u nisur nga fushat sociale, ekonomike dhe juridike”.

Lidhur me studimet e larta, Alushaj ka përfunduar në vitin 2005 masterin për jurist ndërkombëtar në Universitetin e Bolonjës në Itali. Në vitet 2000-2004, është diplomuar në Jurisprudencë në Universitetin e Bolonjës. Të gjitha diplomat  e tij, janë njohur nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës  në Shqipëri.

Avokati ka qenë dhe vazhdon të jetë një pjesëmarrës i përhershëm në Konferenca dhe Seminare të ndryshme, të ndjekura brenda dhe jashtë vendit.

Si do zgjidhet Prokurori i ri i Përgjithshëm?

Kandidatët që plotësojnë kushtet e kërkuara me ligj, vlerësohen dhe renditen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë bazuar në disa kritere:

– vlerësimin profesional në fushën e drejtësisë penale;

– integritetin moral dhe profesional i kandidatit;

– aftësitë organizative dhe drejtuese;

– vlerësimin e elementëve plotësuese si titujt akademike, studime dhe trajnime jashtë vendit, njohja e gjuhëve të huaja.

Më pas, KLP i paraqet Kuvendit të Shqipërisë propozimin për të zgjedhur Prokurorin e Përgjithshëm mes tre kandidatëve të renditur të parët në listë. Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet ai kandidat që merr votat e të paktën 84 deputetëve.

Ligji nuk kufizon numrin e votimeve që mund të ndërmarrë Kuvendi, por nëse ai nuk arrin ta zgjedhë Prokurorin e Përgjithshëm brenda 30 ditëve nga paraqitja e propozimeve, kandidati i renditur i pari nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë shpallet i emëruar.