Avokati Vokshi reagon pas dënimit me burg që iu shqiptua Ferid Aganit

24.04.2019 16:43:24

Pas vendimit për dënim prej dy viteve e gjashtë muaj burg për ish ministrin e Shëndetësisë, Ferid Agani, ka reaguar, avokati i këtij të fundit. 

Adem Vokshi para gazetarëve tha se ky vendim është befasues dhe i papritur, pasi siç konsideron avokati, të gjitha provat kanë dëshmuar se në veprën që akuzohet Agani nuk ka asnjë element të veprës penale.

Ndërsa këtë aktvendim të gjykatës e cilësoi si drejtësi selektive.

Avokati Vokshi gjithashtu bëri të ditur se këtë vendim do ta kontestojnë në Gjykatën e Apelit dhe tha se ka besim se do të kthehet në rishqyrtim.

Shpalljen fajtor të klientit të tij ai e cilësoi si drejtësi selektive, pasi siç konsideron avokati në këtë formë kanë vepruar dhe veprojnë ministra të tjerë të shëndetësisë.

Bashkë me ministrin Agani është dënuar edhe ish sekretari i përgjithshëm i kësaj ministrie, Gani Shabani, me 2 vjet burg, pasi janë gjetur fajtorë sot për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e njohur si ‘Stentat’.

Ish-ministri Ferid Agani dhe ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë, Gani Shabani, akuzoheshin në këtë rast për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Të akuzuar për këtë rast janë mbi 50 persona, mirëpo me qëllim të optimalizimit të procedurës ishte veçuar procedura ndaj ish-ministrit dhe ish-sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë.