Azemi: Ligjet nuk zbatohen as 20 për qind

01.05.2017 08:51:00
Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, ka bërë të ditur se do të mabjnë protestë për këtë 1 maj dhe e cila fillon para BSPK-së nga ora 10:00 dhe marshon deri te sheshi “Skënderbe”, ku edhe do të lexohen kërkesat e kësaj sindikate.

“Edhe në këtë 1 Maj, gjendja e punëtore është e keqe. “Nuk ka përmirësim të kushteve për punëtorët ne sektorin privat. Qeveria është dashur t’i implementojë ligjet që e ka miratuar Kuvendi i Kosovës”, ka thënë ai sot në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë’, në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).

Sipas tij ligjet nuk zbatohet as 20 për qind. “Ne jemi munduar që të arrijmë objektivat tona. Këtë e kemi arritur ku kemi pasur qasje në ato kompani”, ka thënë ai.

Azemi ka rekomanduar institucionet e Kosovës., që të mos bëjmë ligje të reja, por të zbatojnë ato që janë. “Ka punëtorë që merr 150 euro, dhe kjo është e tmerrshme. Ka edhe mos pagesë të kontributeve”, ka deklaruar ai.