Bahtir, ti që lufton si luan për xhami, a ke luftuar për të drejtën e kthimit të shqiptarëve në veri?

27.09.2016 20:37:05

Nga Rexhep Kastrati

Ka qenë e dhimbshme, jo vetëm e rrezikshme kur shihje shqiptarët në trojet e tyre në Maqedoni tek portestonin me flamuj fetarë në duar, sepse në këtë mënyrë i dhanë karakter fetar çështjes kombëtare. Dhe në kushtet kur ishin shtrirë shoqata dhe organizata që nuk kanë lidhje me islamin burimor, dhe në kushtet kur shqiptarët në Maqedoni janë të privuar nga shumica e të drejtave të tyre kombëtare, të shihje ata mijëra shqiptarë që kishin vënë në ball të tyre flamurin islam, ishte vërtet e rëndë, ishte vetëvrasje politike, ishte të bëje realitet dëshirën e sllavo-ortodoksëve që i kanë akzuar shqiptarët si rrezik për Evropën e krishterë, që kanë synuar dhe synojnë të devijojnë thelbin e çështjes shqiptare nga një çështje kombëtare, në një çështje fetare. Dhe kur këtë e bënin edhe forca të organizuara politike dhe shoqata shqiptare, ishte edhe më e rëndë. Por që do të vijë puna që edhe në Kosovë të shfaqen elemente të tilla, vërtet është për të ardhur keq, dhe për t’u shqetësuar. Të dalë një kryetar komune, i një shteti laik neutral dhe me qëndrim të barabartë ndaj të gjitha feve, dhe të flasë për luftë luanësh për xhami, është veprimi më i keq që mund ta bënte, sepse në këtë mënyrë i jep karakter fetar një çështje shumë të rëndë dhe simbolike, me peshë të rëndë për marrëdhëniet shqiptaro-serbe dhe përgjithësisht rajonale. Çështja e Urës së Ibrit, që pas luftës u shndërrua në simbol të ndarjes së Mitrovicës, në simbol të vazhdimit të gjallimit të institucioneve të Serbisë në Kosovë, në simbol të ndarjes së Kosovës, pra edhe e paqes dhe e sigurisë në Kosovë dhe në rajon, nuk ka pasur nevojë për një trajtim të tillë, siç i është bërë edhe nga delegacioni shqiptar në Bruksel. Ura e Ibrit, përkatësisht rivitalizimi i saj, duhet të bëhet për të bashkuar dy pjesët e një qyteti, për të hapur munësinë e lëvizjes së lirë, por edhe të kthimit të shqiptarëve në veri, e së këndejmi edhe si fund i ndarjes së trashëguar dhe i politikave ekspansioniste serbe. Dhe këtë nuk do të duhej ta ngatërronte askush me asnjë çështje tjetër, aq më pak me xhami. Për më tepër, delegacioni i Kosovës nuk do të duhej të pranonte fare ta diskutonte çështjen e xhamisë, sepse kjo është çështje që do të duhej të zgjidhej nga brenda, përkatësisht në bazë të ligjeve të Kosovës. Pronësia e truallit është çështje ligjore, kurse destinacioni i tij do të duhej të zgjidhej në interes të vendit, e jo të do konjukturave që më së paku i shërbejnë interesave të vendit. Fakti që për xhami diskutohet në Bruksel, ndërkohë që ka shumë çështje të tjera më të rëndësishme që duhet të diskutohen, sidomos për vetë Mitrovicën, është një fakt shqetësues dhe që mund t’i krijojë Serbisë mundësi spekulimi dhe përdorimi të saj për të ndërtuar akuza dhe qasje të rënda për Kosovën. Në vend se t’i bëhet trysni Beogradit për pengesat që u paraqet shqiptarëve për t’u rikthyer në shtëpitë e tyre në veri, në vend se t’i bëhet trysni për trajtimin e keq që u bëhet shqiptarëve që veç janë në veri, në vend se t’i bëhet trysni për strukurat kriminale serbe në veri që e kontrollojnë de facto veriun, në vend se t’i bëhet trysni Beoradit për mosshpërbrëjen e institucioneve të saj jo vetëm në veri, Bahtiri i AKR-së, del me mburrje dhe me krenari thotë se për xhaminë kemi luftuar si luanë. Z. Bahtiri dhe delegacioni i Kosovës duhet të luftojnë si luanë për çështjet e lartpëremndura dhe çështje të tjera me rëndësi shtetërore, e jo për xhami dhe objekte të tjera fetare.