Qeveria planifikon riformatim të shpejt, ‘zhduken’ 5 ministri

27.09.2016 20:27:51

Qeveria e Kosovës pritet të riformatojë kabinetin duke bashkuar disa ministri në një të vetme, ose disa të tjera duke i shndërruar në departamente në një ministri tjetër.

Siç raportoi Radiotelevizioni i Kosovës, në këtë mënyrë pritet ulja e dikastereve qeveritare.

“Ekziston  bindja e plotë se efiçienca duhet të shtohet me formatimin e  qeverisë dhe  të bëhet riformatimi aty  ku nuk dëmtohet efiçenca”, tha Faton Abdullahu, këshilltar për media i kryeministrit Isa Mustafa.

“Kjo duhet të mos prolongohet, por të bëhet formatimi”.

Nga ana tjetër, duke u bazuar në burimet e veta, RTK-ja raporton se planet janë që të shkrihen Ministria e Integrimeve Evropiane dhe ajo e Diasporës.

Planet janë që këto dy ministri të shndërrohen në departamente dhe të funksionojnë në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Gjithmonë bazuar në këto burime, ky medium raporton  se formatimi i Qeverisë, mund të prekë edhe  Ministrinë  e Tregtisë dhe Industrisë, atë të Infrastrukturës dhe  Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.

Të gjitha këto ministri pritet të shkrihen në një dikaster të vetëm.

Sidoqoftë, ende nuk është shqyrtuar në tërësi se çfarë do të ndodhë me Ministrinë për Dialog, pasi për të pritet  të vendoset pas vendosjes se si do të vazhdojë dialogu ndërmjet Kosovës e Serbisë në Bruksel.

Nga ana tjetër, RTK raporton se në PDK, partinë e koalicionit qeveritar, ende nuk është marrë  vendim për shkurtim të ministrive, ndërkohë që brenda saj ende përfliten emra për ministra të rinj.

Sidoqoftë, në PDK, bazuar në burimet e televizionit, është kërkuar që në rast se ka  riformatim të ministrive, ajo të bëhet në mënyrë të barabartë si për dikasteret që ata drejtojnë si për ato që drejtohen nga LDK-ja.

Ndërkohë, krejt çfarë dihet është se kryetarët e partive të PDK-së e LDK-së,  ende nuk janë takuar  për të biseduar për këtë çështje.