Bajram Gecaj: S’ka ndërlidhje të Asociacionit, Demarkacionit dhe Ushtrisë

24.03.2017 12:25:48

Qeveria e Kosovës ka mohuar mundësinë e një kompromisi që votimi i Asociacionit, Demarkacionit dhe Ushtrisë të hyjë si pako për votim në Kuvendin e Kosovës.

Zyrtarë nga Qeveria e Kosovës, kanë thënë për lajmi.net se këto çështje nuk janë ndërlidhura dhe një gjë e tillë nuk do të ndodh.

“Këto gjëra nuk janë të ndërlidhura dhe  nuk mund të ndodh një gjë e tillë”, ka thënë Bajram Gecaj zëvendës ministër i Administrimit dhe Pushteti Lokal.

Ndryshe analistë kosovar ka përmendur  si mundësi që këto tri çështje të shkojnë një “marrëveshje-pako”, ku serbët në këmbim të formimit të Asociacionit do të jepnin  votën për formimin e Ushtrisë së Kosovës, me anët të ndryshimeve kushtetuese dhe për Demarkacionin.

Një mundësi e tillë është kundërshtuar edhe nga partitë opozitare në Kosovë.

Qeveria e Kosovës ende nuk ka miratuar marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, për shkak të mungesës së votave, pasi kjo marrëveshje po kundërshtohet nga partitë opozitare dhe disa deputetë nga partitë në koalicionin qeverisës.

Ndërsa, Asociacioni ka mbetur peng i formimit për shkak të bojkotimit të institucioneve nga Lista Serbe, dhe qëndrimeve të kundërta mes Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuese serb.

Këta të fundit po kërkojnë që statuti i Asociacionit të formohet sipas marrëveshjes në Bruksel, kurse pala kosovare ka thënë se statuti do të jetë në bazë të vendimit  që ka dhënë Gjykata Kushtetuese.

Formimi i Ushtrisë së Kosovës i iniciuar nga presidenti Hashim Thaçi me anë të ndryshimit të projektligjit për FSK-në, ende nuk është dërguar në Kuvend nga Qeveria e Kosovës për votim

 .